Përplasje mes partive shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

0

Rindërtimi i Teatrit Shqiptar në Shkup ka qenë mollë sheri që dje ka nxitur përplasje midis dy partive shqiptare në koalicionin qeveritar në Maqedoninë e Veriut.

Kjo situatë është nxitur nga Zëvendës Kryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi në facebook ishte shfaqur në këtë teatër, me slloganin e tyre “BDI – U tha, u bë!”, përcjellë INA. “Bashkë me Adem Karagën bëmë “provën e parë” të promovimit të teatrit super modern shqiptar në Shkup si qendër e re e kulturës shqiptare në vendin tonë. Shumë urime për gjithë që ndihmuan të mbërrijmë këtu. Edhe pak ditë deri në shkëlqimin e plotë të tij! BDI – U tha, U bë!”, ka shkruar Bujar Osmani, duke ia faturuar këtë arritje BDI-së.

Kreshnik Bekteshi, Adem Karaga, Bujar Osmani

Por më vonë ka pasuar reagimi i partisë Alternativa, e cila drejton Ministrinë e Kulturës në kuadër të Qeverisë. Në vend të ministrit Hysni Ismaili ka reaguar shefi i tij i kabinetit, Faton Fazliu. “Ky ish ministri i Shëndetësisë në kohën e Gruevskit, që e ka aktive padinë për hajdutëri, pasi që i ka dështuar agjenda për integrim në BE, tash e vazhdon zanatin e vjetër – t’i vjedhë projektet dhe sukseset e huaja. Teatri Shqiptar është meritë e ministrave Asaf Ademi e Hysni Ismaili dhe është turp për ata që për vite të tëra u pasuruan duke vjedhur nga ky teatër. Mua më vjen mirë që kam qenë pjesë e ekipit që e bëri Teatrin dhe jam me fat që nuk kam nevojë të bëhem hajdut i sukseseve të huaja”, ka shkruar Faton Fazliu. Këto përplasje vijnë në një periudhë kur tashmë janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 12 prill të 2020. (INA)

Faton Fazliu