Përse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit

0

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryetarit serb Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se gjatë negociatave në mes të palëve kosovare dhe serbe, pikërisht Ujmani është një prej çështjeve strategjike kyçe, në dialogun e tensionuar në Bruksel.

Përse është i rëndësishëm liqeni i Ujmanit?

“Argumenti” i përfaqësuesve të Serbisë bazohen në faktin se pjesa më e madhe e infrastrukturës së hidro sistemit “Ibër-Lepenc” gjendet në territorin e komunës Zubin Potok në të cilën shumica e banorëve janë serbë. Pastaj, ndërtimi i hidro sistemit është financuar nga kredia e Bankës Botërore e cila është paguar nga buxheti i ish Jugosllavisë. Prandaj qeveria në Beograd konsideron se ka legjitimitet për bisedime për fatin e kësaj ndërmarrjeje. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës nuk dëshirojnë të bisedojnë për fatin e hidro sistemit “Ibër-Lepenc” sepse është pjesë e pasurisë legjitime të Kosovës, dhe për këtë pasuri asnjë negociatë nuk vjen në konsiderim.

Hidro-sistemi “Ibër-Lepenc” paraqet resurs ekonomik strategjik në Kosovë. Liqeni i Ujmani është i gjatë 24 kilometra dhe akumulon 380 milion metra kub ujë i cili me një pjesë të vogël (më pak se një e treta) gjendet në territorin e Serbisë, gjegjësisht të komunave Tutin dhe Novi Pazar, ndërsa me pjesë më të madhe gjendet në territorin e Kosovës, gjegjësisht në komunën e Zubin Potokut.

Penda “Ujmani” paraqet një prej pendëve më të mëdha në Evropë, është e gjatë 460 metra dhe e lartë 107 metra. Nën pendë gjendet hidrocentrali me dy turbina dhe liqeni për kompensim prej nga fillon sistemi i kanaleve të ujësjellësve.

Ndërtimi ka filluar në vitin 1972 dhe ka përfunduar në vitin 1977, ndërsa ndërtimi i hidrocentralit ka zgjatur prej vitit 1983 deri 1986. Projekti është financuar nga Banka Botërore.

Këtë hidro sistem e menaxhon Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” me seli në Prishtinë, e cila është themeluar në vitin 1967. Në fillim të viti 2008 kjo ndërmarrje shndërrohet në Ndërmarrje të ekonomisë së ujërave “Ibër-Lepenci”, shoqëri aksionare, me pronësi të njëqind për qind të qeverisë së Kosovës.

Ndërmarrja ka 196 të punësuar dhe e furnizon me ujë të pijes disa ujësjellës rajonalë në Kosovë, gjegjësisht komunat e Mitrovicës, Zveçanit, Skenderajt, Vushtrrisë, Drenasit dhe Prishtinës, pastaj siguron ujë për ujitje të tokave bujqësore dhe stabilimenteve industriale (Trepçën, termocentralet Kosova B dhe Kosova A si dhe Ferroniklin), por prodhon edhe energji elektrike./Insajderi.com