“Përshëndetje Tesla. Unë jam Renault Symbioz. Shihemi për pak kohë!”

0

Në disa mësime në shkollat e biznesit, është “predikuar” gjithmonë se eksperienca shpesh është më e rëndësishme se sa paratë. Tesla është një nga kompanitë e makinave më të vlerësuara sot. Por, të konkurosh me kompani mbi 100 vjeçare, nuk është edhe aq e lehtë.

Renault, ka “përqafuar” makinat elektrike dhe autonome që në vitin 2008. Së fundmi, ajo ka prezantuar Renault Symbioz, një makinë me një dizajn unik, ashtu siç francezët dinë ta bëjnë më së miri.

Renault është aktualisht që prej më shumë se 17 vitesh në një partneritet strategjik me Nissan, nën emrin Group Renault-Nissan. Së fundmi, partneritetit i është shtuar edhe Mitsubishi duke formuar kështu Renault-Nissan-Mitsubishi. Grupi rezultoi të ishte kompania numër 1 e makinave në botë për gjysmën e parë të vitit 2017 dhe pritet që ri-kurorëzohet për vitin 2017. Aktualisht, ky grup zotëron pjesën më të madhe të tregut të makinave elektrike. Renault Zoe dhe Twizy, së bashku edhe me Nissan Leaf etj, kanë realizuar shumë shitje, kjo edhe për shkak të çmim të ulët të tyre.

Tesla nga ana tjetër, është dominues në klasën luksoze të makinave elektrike. Mund t’i quajmë të tilla në fakt, vetëm prej çmimit. Në brendësi, cilësia e ndërtimit nuk është më e mirë se e një makine të zakonshme që kushton rreth 35.000 $ e re. Publikimi i shifrave “të çmendura” e kanë kthyer Tesla në një ikonë. Të preferosh një Tesla, është më “cool” se sa një makinë tjetër elektrike.

Por kompanitë e vjetra duket se nuk i tremben Tesla, të paktën përsa i përket prodhimit të makinave. Së fundmi, Symbioz nga Renault është prezantuar për mediat, duke treguar edhe një herë se e ardhmja nuk do të jetë aq e mërzitshme sa dizajni i një Model S apo X. Renault Symbioz, është i pajisur me nivelin e 4 të autonomisë. Tesla ndërkohë gjendet në nivelin e 2. Ajo gjithashtu është një vepër arti…përsa i përket makinave të së ardhmes. /Gazeta e re/

Video më poshtë, i tregon të gjitha: