Shkruan: Naser Pajaziti
Në dimrin e pasluftës së 2001, një komandant i UÇK-së që shkonte e vinte nga Shipkovica në Shkup, shpesh më bënte përshtypje me një llaf që nuk e hiqte nga goja e që ja kishte thënë Ali Ahmeti se ata do jenë në pushtet 20 vjet e më shumë, dhe se Marrëveshja e Ohrit, do të sjellë atë që kurrë se kishin ndjerë shqiptarët në këtë shtet.
“S’ka kush na rrëzon, do kemi pushtetin sikur xhaxhi Enver”, ishte fjalia e tij me sarkazëm, e që si një gazetar i ri atëkohë nuk i’a merrja aq shtruar. Si duket me apo pa të qëlluar, po më dalin fjalët e këtij komandanti, i cili për çudi sot pas 20 viteve nuk është në gjirin e partisë dhe bashkëidealistëve të kësaj Marrëveshje.
Vitet ikën shpejtë, për dikë kjo datë është një histori, por për protagonistët e kohës është sikur të ishte dje. Ndarjet dhe skepticizmi edhe sot mbizotërojnë, jo vetëm tek komandanti protagonist i këtij rrëfimi, por edhe tek shqiptarët e maqedonasit. Për të parët ka nga ata që thonë se është bërë ajo që ndryshoi faqen e çështjes shqiptare, e për disa nuk u bë sa duhej bërë, se është farsë, e papërfunduar dhe lëngon zbatimi i saj në praktikë. Për të dytët se është shumë ajo që kërkohet dhe ky shtet i takon atyre si prijës. Por, mbizotëron edhe një vetëdije brenda elitave maqedonase se kjo marrëveshje është më e mira nga e keqja, sikur një lëmsh që nuk i dihet filli, e që kurrë s’mund të gjendet.
Bashkësia ndërkombëtare në këtë mes çdo përvjetor përcjell mesazhin e përsëritur për ruajtjen e frymës dhe zbatimin e saj, por njëkohësisht përballet me kokëdhembje për shkak të kontradiktave brenda këtij vendi, ku ka ndarje të mëdha, antagonizma, segregacion, diskriminim,etj.
Marrëveshjes së Ohrit ishte viti 2004, mirëpo neglizhenca e palës shumicë dhe tensionet e vazhdueshme të sigurisë dhe ato politike që përfshinë këtë vend të dalë nga konflikti gjashtëmujor shkaktuan zvarritjen e procesit të implementimit. Deklaratat dhe imponimet optimiste të pushtetarëve shqiptarë gjithmonë janë dukur shumë shterpe përballë fakteve dhe realitetit përplotë antagonizma.
20 përqindëshi në Kushtetutë
E pafalshmja e kornizës së firmosur në gushtin e 2001 është përkufizimi i shqiptarëve në pjesët e Kushtetutës si bashkësi etnike 20%, përpos preambulës ku në konglomeratin e pakicave tjera jemi numëruar si shqiptarë. Kjo shifër koinçidon sot me 20 vjetorin, ku shqiptarët në preambulën e Kushtetutës i gjen në pjesën e radhitur përkrahë komuniteteve të tjera, e që në brendi ravijëzohen citate nenesh që shpërfaqin mënyrën e funksionimit të shtetit dhe pabarazinë e shqiptarëve me maqedonasit.
Janë pak amendamente që mund t’i japin fund përkufizimit asocues fantom në Kushtetutë: “cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullsisë, apo cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë gjuhën e tij.”
Subjektet politike shqiptare me dualizëm shpalosin këtë problematikë dhe ky standard i dyfishtë përdoret varësisht nga rrethanat sezonale politike.
Në mediat dhe debatet ndërshqiptare gojën plotë me akuza, zotime e premtime se do të përmirësohet kjo çështje, ndërsa në taborin mediatik e politik maqedonas luhet loja e interesave tjera të partneriteteve dhe ruajtjes së pozicioneve politike e të pushtetit.
Me këto kalkulime politike vështirë do të hapet debati i shumëthirrur publik, shoqëror dhe në media, për demistifikimin dhe sqarimin e drejtë e pa emocione të përmbajtjes konkrete të Marrëveshjes së Ohrit dhe shmangjen e mashtrimeve lidhur me përmbajtjen e saj. Përkufizimi i tillë mbi 20%, vazhdon të jetë një gurë i rënduar dhe sfidë për spektrin politik shqiptar.
Gjuha shqipe, përfaqësimi dhe inspektorati i fjetur
Qeveritë e deritanishme deri tani nuk kanë nxjerrë analizë apo plan-projekt të plotë rreth arritjeve dhe realizimit praktik të Marrëveshjes së Ohrit.
Për çdo përvjetor janë përcjell porositë për ruajtjen e frymës së saj, por kjo frymë në vazhdimësi ka qenë e ndjekur me bllokada dhe truqe institucionale në labirinthet e shtetit, kështu duke u stërzgjatur procesi në një udhë të vështirë me shumë të panjohura.
Sot e kësaj dite, ligjet e shkruara në letër nuk zbatohen në praktikë, sidomos rreth zbatimit të gjuhës shqipe. Shumë institucione që drejtohen nga pushtetarë të partive maqedonase refuzojnë zbatimin përmes obstruksioneve dhe zvarritjeve të ndryshme. Inspektorati për zbatimin e gjuhëve, gjegjësisht gjuhës shqipe, akoma duket një institucion fantom në letër, me një drejtor anonim që sot e kësaj dite nuk ka bërë detyrën që duhet të bëj duke trokitur në dyert e shumë institucioneve ku gjuha shqipe nuk po gjen zbatimin praktik.
Përfaqësimi është po ashtu një proces me shumë të panjohura, ku edhe në ditët e sotme nuk ka një shifër të saktë konkrete. Ky proces po rrezikohet nga dukuria e punësimeve antiligjore të maqedonasve të deklaruar si shqiptarë. Ky sistemim i padrejtë që është publik dhe transparent, ende nuk po eliminohet dhe që në prapavijë synon që të fryejë shifrat e përfaqësimit shqiptarë. A duhet të ketë një rezivizion të këtyre shkeljeve që si duket po kalojnë symbyllur edhe nga pjesa shqiptare?!
Kërkesa pa fund
Si gjithmon përvjetorët nxjerrin nga thesi i shqyer edhe shumë tema që stërkapura nga pluhuri sikur: Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, drejtësia selektive dhe rastet e montuara, decentralizimi fiskal e zhvillimi i pabarabartë, por edhe shumë problematika të tjera që janë alarmuar nga partitë politike, institucionet joqeveritare dhe ato ndërkombëtare.
Megjithatë “Korniza e Ohrit” mbetet objekti i paprekur në muret kyçe të kësaj shtëpie, ashtu që çdo vit ndodhë heqja e pluhurit dhe stilizimi i saj, nga përcaktuesit e fatit të shteteve dhe popujve të vegjël. Thënë shkurt e qartë, bashkësia ndërkombëtare e prirë nga SHBA-të është e vendosur që të ruaj paqen në Maqedoni përmes kësaj marrëveshje të paqes, sa do që e duam apo nuk e duam, jemi apo nuk jemi të kënaqur. Ta mbajmë me shëndet!
ribotim, gusht 2021