Peticion online për fituesin e çmimit ‘Nobel’ në letërsi, ka fyer shqiptarët

0

Shpallja e austriakut Peter Handke si fitues i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019, u prit menjëherë me reagime të ashpra.Ndërkohë, ka nisur edhe një peticion online, ku bëhet thirrje për të firmosur kundër Handke dhe Akademisë Suedeze, e cila duhet të anulojë vendimin. Të enjten Akademia Suedeze njoftoi se Handke fitonte për vitin 2019,ndërsa autorja polake Olga Tokarczuk për vitin 2018. Kritikët e quajtën atë mohues të genocidit, dhe vunë në pah lidhjet e tij me Sllobodan Millosheviçin dhe deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb dhe kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Zoti Handke ka marrë pjesë në funeralin e Millosheviçit. Shkrimtari austriak në disa inçizime të vitit 2014, shihet qartë teksa ofendon të mbijetuarit nga Bosnja dhe Kosova “Vafshi në djall, aty ku tashmë jeni”, dëgjohet Handke. Vendimi i Komitetit të Nobel-it ka ngjallur reagime të shumta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në Tëitter ka thënë se vendimi i Komitetit të Nobel për ndarjen e çmimit për Letërsi për shkrimtarin austriak ka ngjallur dhimbje të pafund tek viktimat e panumërta. Ai ka shkruar se i mban mend vitet e 90-ta, kur shkrimtari austriak kishte vendosur të mbështes autorin e gjenocideve në Kosovë dhe Bosnjë. Në letrën e ASHAK-ut thuhet se Handke është një eksponent i shquar i ideve fashiste të nënshtrimit dhe robërimit të popujve dhe mbështetës i pasionuar i Milosheviqit dhe i luftërave të tij gjenocidale në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një reagim në Twitter, ka shkruar se “i vjen të vjell nga ky vendim i turpshëm”. Handke, 76-vjeç, siç është thënë është shpërblyer “për punën me ndikim në eksplorimin e specifikës së përvojës njerëzore”. Çmimi Nobel për letërsi nuk ishte dhënë vitin e kaluar, pas akuzave për abuzim seksual dhe çështje të tjera brenda radhëve të Akademisë Suedeze, që zgjedh fituesin. Problemet në Akademinë Suedeze, shpërthyen pas një skandali lidhur me Jean-Claude Arnault, një personalitet kulturor në Suedi, që është edhe bashkëshorti i poetes Katarina Frostenson, anëtare e akademisë.