Mbështetje për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, shpreh kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov në intervistën për gazetën greke “Katimerini” por shton se nevojitet që së pari të zgjidhen disa çështje siç është respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoni të Veriut me garanci në Kushtetutë.
“Ne jemi për perspektivë evropiane të Maqedonisë së Veriut, po dhe të Shqipërisë. Por ekzistojnë disa punë që duhet të zgjidhen siç është së pari, respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoni të Veriut me garanci në kuadër të Kushtetutës. Kemi plan dhe komunikim të mirë me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë se së shpejti do të ecim përpara”, ka thënë kryeministri bullgar.
Duke folur për bashkëpunim energjetik me Greqinë në intervistën për gazetën greke, Petkov ka thënë se pas ndodhive të fundit “nevojitet diversifikim më i madh i burimeve energjetike” dhe në këtë punojnë ngushtë me qeverinë greke, ndërsa qëllimi siç tha është “të forcohen lidhshmëritë energjetike të dy vendeve përmes gazsjellësit IGB për Bullgarinë që të ketë qasje deri te gazi i Azerbajxhanit por edhe te rezervat e gazit natyror të lëngshëm LNG në Aleksandrupoli”.
Lidhur me perspektivën për marrëveshje bilaterale për furnizim me energji bërthamore nga Bullgaria për Greqinë, kryeministri bullgar thekson se Greqisë i duhet energji më e lirë, ndërsa Bullgaria ka energji bërthamore dhe kështu dy vendet të punojnë bashkë “duke ndërtuar marrëdhënie afatgjate përmes krijimit të centralit bërthamor me interes të ndërsjellë në sferën që është alternativë e rëndësishme për mungesën e energjisë në rajonin tonë”.
Petkov shton se në këtë fazë shqyrtohen furnizuesit potencial dhe realizohet studim ku do të paraqiten propozime konkrete deri te Greqia dhe në periudhën prej 12 muajsh do të mund të ketë fotografi të qartë për tërë projektin.