PINA: Mbi 80% e 100 gazetareve të anketuara janë përballur me ngacmime online

Mbi 80 për qind e mbi 100 gazetareve të anketuara në vend janë përballur me një formë të ngacmimit onlajn. Ngacmimet shfaqen në forma të ndryshme, nga mesazhet shqetësuese, kërcënimet deri te bullizmi onlajn, tregon analiza e Platformës për Gazetari Hulumtuese dhe Analiza – PINA, e cila sonte në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut promovoi filmin dokumentar “Rrjeti i rrezikshëm”.

“Ka të dhëna më shqetësuese që janë pjesë e analizës. Një prej tyre është se gazetaret nuk duan të raportojnë, në përgjithësi thonë se nuk raportojnë në institucione. Arsyet për këtë janë të ndryshme, nga mosbesimi se diçka do të bëhet apo ndërmerret, tha për MIA-n kryetarja e PINA-s, Kristina Ozimec.
Shqetësimi në masën më të madhe, shton ajo, është shfaqur për shkak të teksteve të tyre. Nga njëra anë, gazetaret e përjetojnë këtë për shkak se janë femra, dhe nga ana tjetër për shkak të punës së tyre kritike.

Për përgatitjen e dokumentarit janë anketuar mbi 100 gazetare që janë aktive në skenën mediatike. Filmi është një analizë e ngacmimit onlajn të gazetareve në vend, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup.

Shfaqja e filmit u pasua me diskutim dhe u prezantua edhe publikimi “Nga normalizimi në autocensurë – analiza e ngacmimit onlajn ndaj gazetareve femra në Maqedoninë e Veriut”.

Filmi u prezantua në kuadër të Festivalit Mediatik të Shkupit. Ky është edicioni i gjashtë i eventit mediatik treditor të festivalit, i cili do të zgjasë deri nesër. Janë mbajtur diskutime të ndryshme kushtuar një sërë temash të rëndësishme për gazetarinë dhe median, seminare për gazetarët, për punëtorët e filmit, audiencën e re, gratë dhe shoqërinë civile në përgjithësi, si dhe bëhen filma me tema të ndryshme.