Pjesëtarët e grupit Lev Tahor gjenden në Kumanovë

Iliria News Agency
Iliria News Agency

14/02/2022

Një grup i pjesëtarëve të sektit fetar hebre, Lev Tahor, po qëndron në qytetin e Kumanovës në Maqedoninë e Veriut nga data 5 shkurt.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet fjalë për 30 persona të cilët në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë përmes Aeroportit të Shkupit.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka njoftuar se “bëhet fjalë për një grup fetar hebre që është vazhdimisht në lëvizje pasi është detyruar të largohet nga shumë vende si Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika”.

Sipas Policisë, grupi përfshin shtetas amerikanë, kanadezë, belgë dhe amerikano-jugorë.

Detaje mbi arsyet e largimit të tyre nga këto vende nuk janë bërë të ditura.

“Njoftojmë opinionin se personat e vërejtur në Kumanovë janë një grup i pjesëtarëve të bashkësisë fetare hebre. Këta persona i respektojnë ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ata janë këtu në përputhje me dispozitat ligjore dhe kanë leje për qëndrim të përkohshëm në Maqedoninë e Veriut”, është thënë në njoftimin e Policisë.

Sipas ligjit maqedonas, personat që kanë lejeqëndrim të përkohshëm mund të qëndrojnë 90 ditë në këtë shtet.

Sipas disa xhirimeve të publikuara në rrjete sociale, duket se ata janë strehuar në një shtëpi private, në pjesën maqedonase të Kumanovës.

Njoftimi i Policisë është bërë pasi në rrjetet sociale ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, mbi veshjen dhe lëvizjet në grup të këtyre personave.

“Grupi nuk paraqet ndonjë rrezik dhe apelojmë për tolerancë dhe solidaritet me ta. Sipas të dhënave që disponojmë, grupi është në lëvizje të vazhdueshme dhe pritet të largohet nga vendi ynë në ditët në vijim”, ka bërë të ditur Policia në Kumanovë.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se anëtarët e grupit Lev Tahor janë parë edhe në Komunën e Illixhës në Sarajevë gjatë muajit janar.

Ata janë larguar nga Bosnje-Hercevogina më 3 shkurt, duke marrë rrugë për Mal të Zi.

Grupi Lev Tahor është akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.

Rreth 200-300 anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.

Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.

Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi./REL

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

mickoski-3

Mickoski: U dëgjova me Taravarin, i urova zgjedhje të suksesshme parlamentare dhe qeveri të ardhshme

ali-ahmeti-2-750x430

Ahmeti: E përmbyllëm këtë kapitull me një fitore të madhe, i them opozitës bëj kujdes më 8 maj!

438237609_7297035567018411_5241735204519391833_n-1-780x470

BDI-ja nisi festën në Sheshin Skënderbeu në Shkup, Grubi: Fitoi UÇK-ja dhe Ali Ahmeti

lluka

Llukarevska: Stevo Pendarovski shkon në raundin e dytë

tetove

BDI feston në Tetovë

Zgjedhje votime vota Maqedoni

Disa nga rezultatet jo zyrtare nga rajoni i Tetovës

arber

Ademi: Sot populli foli

Bilall Kasami

Kasami: Dalja e votuesve e lartë, po tregohet vendosmëri për ndryshim

vlen

VLEN: Në Likovë vjedhje masive të votave, mbushje dhe treni bullgar

INFO

NA NDIQ