Pjesëtari i grupit të Kumanovës, Rufki Dogani, ka reaguar lidhur me Ligjin për Amnisti i cili pritet të votohet në parlamentin e këtij e Maqedonisë Veriore, nga i cili pritet të amnistohen një pjesë e madhe e të burgosurve.
Dogani në një postim në Facebook a shkruar se inicimi i këtij ligji po bëhet me qëllim të siç ka thënë “mbulimit të djallëzive” ndaj një numri të caktuar të të dënuarve në Gjykatat e Maqedonase.
Ai ka shfaqur zhgënjimin e tij që nuk po bëhet hetimi ndërkombëtar për rastin e Kumanovës, duke theksuar se nuk do të dëshironte të amnistohej në cilësinë e terroristit.
“Të amnistohesh nën cilësinë e terroristit është njëlloj sikur të dënohesh për herë të dytë. Ju rikujtoj se unë vuaj dënim nën e akuzën e terrorizmit, dënim për të cilin nuk ka asnjë fakt dhe asnjë dëshmi, unë nuk kam sulmuar askënd, nuk kam vrarë asnjë, ose kam pushtuar dikën, por pa fakte, me falsifikime, me mashtrime jam këtu ku jam. Unë dhe shumë shokë tjerë, të cilët si unë nuk presim të amnistohemi ose të falemi nga ky shtet, por presim Hetim ndërkombëtarë, zbardhjen e rastit, edhe rishqyrtim të të gjithë fakteve dhe vënien në bankën e te akuzuarve përgjegjësit e vërtet”, shkruan mes tjerash Dogani.
Postimi i plotë:
Të nderuar bashkatdhetarë dhe bashkëkombës shqiptar,
Marr guximin të bej një shkrim në lidhje me temën me aktuale në moment në R.M.V. temë e cila bisedohet 24 ore na burgjet dhe jashtë saj, në lajme e protale, bëhet fjalë për Ligjin për Amnisti i cili pritet të votohet në parlamentin i këtij shteti, ku do të përfitojnë amnisti një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve.
Edhe pse në pamje të parë ky ligj duket si lajm i mire, në thelb për mua ky ligj s’është tjetër veç se “të mbulosh diellin me shoshë”. Ky shtet manipulues nëpërmjet politikaneve të korruptuar, inicion këtë lloj ligji me qëllim mbulimit të djallëzive dhe pazareve të fëlliqura që janë bërë në kurriz të një pjesë të caktuar të të dënuarve nga gjykatat e turpit dhe mashtrimit. Nuk dua të luaj rolin e negativit edhe nuk jam kundër askujt që e pret me gëzim këtë ligj, por unë jam shumë skeptik edhe shumë i zhgënjyer nga personat të cilat na dhanë fjalën për hetim ndërkombëtare të rastit të Kumanovës e jo amnisti të krimeve që nuk janë kryer. Të amnistohesh nën cilësinë e terroristit është njëlloj sikur të dënohesh për herë të dytë. Ju rikujtoj se unë vuaj dënim nën e akuzën e terrorizmit, dënim për të cilin nuk ka asnjë fakt dhe asnjë dëshmi, unë nuk kam sulmuar askënd, nuk kam vrarë asnjë, ose kam pushtuar dikën, por pa fakte, me falsifikime, me mashtrime jam këtu ku jam. Unë dhe shumë shokë tjerë, të cilët si unë nuk presim të amnistohemi ose të falemi nga ky shtet, por presim Hetim ndërkombëtarë, zbardhjen e rastit, edhe rishqyrtim të të gjithë fakteve dhe vënien në bankën e te akuzuarve përgjegjësit e vërtet.
Ata të cilët në dhunuan e vranë mbasi u bë dorëzimi ynë edhe ata që premtuan dhe deri sot asgjë nuk realizuan, ata te cilët bënë edhe bëjnë pazare në emër dhe kurriz tonë, për këto kategori njerëzish mendoj që ligji për amnisti është i qëlluar.
Iu bëj thirrje politikanëve dhe personave përgjegjës që të përshpejtojnë Hetimin ndërkombëtare në lidhje ma rastin e Kumanovës, që e vërteta të dali në shesh, e jo të falemi për krime që nuk i kemi kryer.
Shkup, 03.10.2023, me respekt Rufki Dogani.