Prokuroria Publike Themelore në Shkup ka njoftuar se ka parashtruar masë të paraburgimit për dorasin, i cili shtiu me armë para disa javëve në Çair, në afërsi të çerdhes “Fidani”, transmeton TV21.
Nga Prokuroria bëjnë të ditur, se dorasi i cili gjendet në arrati, fillimisht, duke kaluar me motor e ka spërkatur me ujë të grumbulluar në asfalt të dëmtuarin, kurse më vonë, i ka pritur me një vend tjetër dhe e ka plagosur.
“Më 17 korrik, në orët e vona të mbrëmjes në Çair, i dyshuari me motor me shpejtësi të lartë ka kaluar krah të dëmtuarit dhe një personi tjetër të cilët kanë qenë në këmbë dhe i ka spërkatur me ujë të grumbulluar në asfalt. Ka ndaluar dhe i ka kërkuar falje dëshmitarit, ndërkaq me të dëmtuarin fillimisht është kacafytur dhe më pas ka shkëmbyer edhe grushte.
I dyshuari fillimisht ka ikur, por më pas i ka pritur në afërsi të çerdhes së fëmijëve “Fidani” dhe me armë ka gjuajtur një plumb drejt të dëmtuarit, duke i shkaktuar plagë në pjesën e djathtë të kraharorit dhe dëmtime në disa organe. Kryerësi, sërish, menjëherë është arratisur”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik deri te gjykatësi i procedurës paraprake deri te Gjykata Penale ka parashtruar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për dorasin, kurse masa e paraburgimit duhet të zbatohet pasi të arrestohet i njëjti.
MPB po punon në gjetjen e tij, njoftojnë më tej nga PPTH.