Plani për lagjet shqiptare dhe gjimnazin shqiptar në Kumanovë, flet pretendenti për kryetar komune (VIDEO)

Pretendenti për të parin e Kumanovës nga radhët e sociademokratëve të LSDM-së, Oliver Ilievski në një intervistë për INA ka folur edhe për prioritetet për lagjet shqiptare në këtë komunë, por edhe për zgjidhjen e problemit me gjimnazin me mësim në gjuhën shqipe.

“Ne i shohim lagjet duke vlerësuar se cilat projekte infrastukturore i janë të nevojshme, cilat janë mangësitë që kanë, dhe në bazë të këtyre bëjmë programe dhe projekte, pa dallim se cila bashkësi etnike jeton. Si shembull do të marr projektin e asfaltimit të 80 kilometrave rrugë, ashtu që për katër vite asnjë rrugë nuk do të ngelet pa asfalt, derisa në procesin e rikonstruimit do të përfshihen të gjitha lagjet pa dallime se cilat bashkësi etnike jetojnë”, thotë Ilievski.

Ai premton ndërtimin e çerdheve për fëmijë në lagjet “Bajram Shabani” dhe “Tode Mendoll”, pasi që ka mungesë të tyre. “Kemi pasur mjete të ndara nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale për ndërtimin e çerdhes në “Tode Mendoll” , por për shkak të krizës me COVID-19, këto mjete janë tërhequr. Tani kërkojmë që këto mjete të na mundësohen dhe të ndërtojmë çerdhe për fëmijë. Po ashtu planifikojmë projekt në Seravë, ashtu që nga hyrja e kësaj lagje të ndërtojmë një shëtitore për qytetarët tanë. Planifikojmë që në “Tode Mendoll” të ndërtojmë një fushë sporti multifunksionale, për shkak se atje mungon ajo, dhe se qytetarët kanë nevojë për rekreacion. Po ashtu ka mungesë të një parku dhe shëtitoreje për fëmijët, ku ata do të shijojnë natyrën”, theksoi Ilievski.

Ai premton edhe zgjidhje për gjimnazin “Sami Frashëri”, ku mësimi zhvillohet në kushte të mjerueshme në ish-godinën e Kombinatit Bujqësor në Kumanovë.

“Unë disa herë kam vizituar këtë gjimnaz dhe aty fëmijët mësojnë në kushte shumë të këqija. Ky gjimnaz nuk është përputhje me ligjin për arsimin e mesëm, për shkak se daljen e ka në rrugë kryesore qarkulluese, ndërsa normalisht ajo duhet të jetë në rrugë njëkahëshe. Gjimnazi ku është tani është rrezik edhe për fëmijët, por edhe për drejtuesit e makinave. Ashtu që ne fillimisht do të pyesim qytetarët se ku duan që të jetë shkolla e tyre dhe në bazë të kësaj do të bëjmë projekt. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, ose do të ndërtojmë shkollë të re, ose do të blejmë objekt të përshtatshëm që përmes një rikonstruimi do ti plotësonte të gjitha kushtet e një gjimnazi, duke e zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë problem”, theksoi Ilevski. Ai ka premtuar se projektet kapitale do të jenë gasifikimi, pastrimi i deponive përmes projektit “Ecologu im”, projektet infrastrukturore, arsimore si dhe të tjera. (INA)