Po afrohet “Black Friday”, por a janë reale zbritjet në dyqane?!

Në rrjetet sociale përplotë paralajmërime befasuese për fundjavën e njohur tradicionale të blerjeve të lira të ashtuquajtura si “Black Friday”. Ky emër është importuar si trend biznesi i blerjeve nga SHBA-të.

Atje këto ditë janë atraksion i vërtetë sepse qytetarët mund të blejnë me çmime të jashtëzakonshme, por tek vendet e rajonit, ky trend më tepër përdoret si truk për të joshur dhe nxitur qytetarët për të vizituar dyqanet, përcjell INA.

Në të shumën e rasteve uljet e çmimeve janë nga 50% deri në 70%, por shumë pak ndodhë që si blerës të befasohesh me ulje të tilla të çmimeve, apo blerje të gjësendeve, garderobës dhe gjërave të tjera me çmime tejet të lira. Këtë e pohojnë edhe qytetarë të anketuar nga INA, të cilët thonë se është një truk dhe mashtrim.

“Po çfarë ulje çmimesh, në letër shkruan 70%, kur hyn aty i gjen dy tre sende të lira, jashtë sezonit apo pak të kërkuara, dhe 80% apo 90% janë çmimet pak të ulura. Nuk e di si është në vendet e tjera, por këtu vetëm mashtrim, për të na detyruar për të vizituar disa dyqane që reklamohen”, thotë Arsim.R, nga Shkupi.

“Paraprakisht po i shoh rrjetet sociale, se çka po afrohet. Dhe kur sheh që një palë veshje sportive ofrohen me çmime të larta dhe më pas gjoja me lirim, por në fakt shihet se ka fryrje të çmimeve dhe më pas janë bërë uljet. Kam qenë në vendet evroperëndimore dhe atje vërtetë mund të gjesh gjëra të lira. Pra këtu nuk e kanë kuptuar ende se çfarë do të thotë kjo fushatë”, thekson Sara.I, nga Tetova.

Qytetarët thonë se nuk presin ndonjë surprizë edhe gjatë këtyre ditëve, por një pjesë theksojnë se nuk kanë para dhe se po përballen me krizë dhe mbijetesë për shkak të shtrenjtimeve të vazhdueshme të jetesës. (INA)