Po bëhet revizion i Komunës së Tetovës, Kasami: Do e publikojmë në monitor borxhin (Video)

Borxhi i Komunës së Tetovës jozyrtarisht thuhet të jetë mbi 20 milion euro, që njëherit është një nga problemet më të mëdha të kësaj komune. Për këtë, kryetari Kasami tha se po bëhet revizioni i buxhetit, të cilin ditët në vijim do e ndajnë në publik në monitor. Për kryerjen e revizionit, Kasami në konferencën e parë për media si kryetar i Tetovës tha se do angazhojë specialistë nga jashtë institucionit për revizion të plotë, ndërkaq dje tha se revizionin momentalisht e kryen revizioni i brendshëm bashkë me të, shkruan Portalb.mk.

Me të marrë detyrën si i pari i Tetovës, në daljen e parë publike nën këtë funksion Kasami potencoi se nga ai moment do të fillojë skanimi i situatës në Komunën e Tetovës dhe duke ndjekur dispozitat ligjore do angazhojë specialist nga jashtë institucionit për revizion të plotë.

Ndërkaq dje, Kasami tha se revizioni i buxhetit të Komunës së Tetovës për momentin bëhet nga vetë ai bashkë me revizorin e brendshëm i cili është shefi i revizionit të brendshëm që është institucion brenda komunës.

Për këtë gazetari i Portalb.mke pyeti Kasamin se kush realisht do e bëjë këtë revizion pasi janë dy deklarata të ndryshme. Kasami tha se komuna ka revizorin e brendshëm dhe vetëm përmes revizorit të brendshëm ne në formën më urgjente mund të intervenojnë.

“Kam thirrur revizorin e brendshëm, kam dhënë obligime, jam i angazhuar edhe unë, janë angazhuar edhe ekspertë të jashtëm të cilët janë në konsultim në bazë ditore për këtë çështje dhe në moment kur do të kemi informata sa i përket kësaj çështje do të informohet opinioni. Kurse revizioni shtetëror dhe revizionet private janë procedura të cilat do të vijnë më tutje, nëse do të identifikojmë probleme të cilat nuk mund t‘i zgjidh revizori i brendshëm dhe kërkohet ekspertizë më e lartë atëherë ne do të angazhojmë edhe ekspertë të jashtëm.” tha Bilall Kasami.

I pyetur nga Portalb.mk për atë se kush janë këta persona të jashtëm, Kasami u përgjigj kështu: “Janë pjesë e kabinetit tim të cilët unë i konsultoj për çështje që kanë ekspertizë në fushën e caktuar.

Një pjesë e buxhetit të kësaj komune shkon për rrogat e punëtorëve të cilët janë 340 me vendim dhe 350 me kontratë në vepër. Në lidhje me atë se a kanë shumë se sa është dëmtuar buxheti I komunës nga pagat e punëtorëve, Kasami tha se nuk kanë diçka të tillë momentalisht.

“Jo, edhe aty vendimi është që të ndërpriten të gjitha kontratat. Të kërkohet raport për realizimin e punëve në bazë të kontratave dhe aty do të kemi një pres konferencë të veçantë ku do të informohet se sa kanë qenë ato kontrata, sa është dëmtuar buxheti i komunës dhe për ato mjete ne në bazë ligjore do të kërkojmë edhe kthimin e atyre mjeteve nga gjithë ata që i kanë marrë mjetet e qytetarëve tanë pa të drejtë.” tha Bilall Kasami.

Borxhi është një problem i madh me të cilin ballafaqohet komuna, të cilën e konfirmon edhe kryetari i kësaj të fundit, i cili tha se bashkë me bashkëpunëtorët e tij dhe administratës janë në skanim të situatës.

“Jemi në përfundim të identifikimit të borxhit të komunës edhe për këtë për shkak se është një problem vërtetë serioz, do të kemi një pres konferencë të veçantë ku do sqarojmë të gjitha detajet, sa është borxhi, kujt i kemi borxh dhe do të kemi edhe një plan se si do të menaxhojmë me borxhin e komunës.” tha Bilall Kasami.

Ndryshe, në prioritetet për 100 ditëshin e qeverisjes me Komunën, Kasami është dhe identifikimin e borxhit të komunës, ndërmarrjeve komunale, shkollave dhe çerdheve, si dhe publikimin e të njëjtit në ueb-faqen e komunës dhe në hapësirat publike./Portalb.mk