Po e qajnë pushtetin, por po bëhen gati për opozitë!

0

Disa funksionarë të dorëhequr të Aleancës për Shqiptarët po e qajnë pushtetin që lan. Ata thonë se qeveria sigurisht u krijon më shumë kushte për të vepruar si parti dhe për të qenë më afër qytetarëve, pasi që me vite të tëra është krijuar kjo frymë në Maqedoni.

“Dorëheqjet ishin një gjest demokratik, por edhe dinjitet, pasi që ASH është parti që po vazhdon të rritet si uragan dhe synojmë të jemi të parët në ciklet e ardhshme zgjedhore. Sigurisht se nga pozita në pushtet ka një komunikim më të mirë me qytetarët, për shkak se është krijuar apo instaluar një kod i tillë mental, se kur je në pushtet të shohin më ndryshe. Por ne garantojmë se do të jemi korrektori kryesor i kësaj qeverie, për shkak se një pjesë e programit është programi ynë partiak”, theksoi për INA një funksionar i ASH-së.

Por një pjesë e tyre po qajnë pozitat që kanë pasur, pasi që sipas tyre, ndryshe është kur je në pushtet, por ndryshe në opozitë. “Derisa isha në pozitë deri para Vitit të ri kisha me dhjetëra telefonata në ditë nga njerëz të ndryshëm që kishin punë e telashe, ndërsa tani humbet ky komunikim dhe nuk ka interesim.”, thotë funksionari tjetër.

ASH kishte një ministër, tre zv.ministra, një sekretarë shtetëror, por i ishin ndarë edhe disa drejtori, në disa prej të cilave ende nuk ishin emëruar drejtorët. (INA)