Po fshehen deshmi per rastin “Reket”, ja kush drejton gishtin?

0

VMRO-DPMNE-ja opozitare përmes një komunikate për media kanë hedhur akuza ndaj prokurores Villma Ruskoska se e njejta, posedon të gjitha dëshmitë për involvimin e qeverisë në reket e shumëpërfolur, ndërsa siç thonë, deri tani janë arrestuar vetëm dy persona. Me këtë, siç thonë nga kjo parti, ekziston qëllim për tu fshehur dëshmitë dhe të zvarritet hetimi për rastin “Reket”.

“Zaev gjendet në krye të oktapodit. Sytë na dhembin nga shkëlqimi në oktapodin kriminalo-reketues që e mbronë Zoran Zaev. Janeva është prokurorja e cila së bashku me Boki 13 dhe Zoki Kiçeec ka zhvatur para nga biznesmeni Orce Kamçev, e më pas të thotë se i ka humbur telefoni, e i cili i formatuar u gjet tek e dashura e djalit të saj, e që sot si dëshmitare do të thotë se nuk ka asnjë lidhje me këtë rast. E dimë se janë reketuar dhjetëra biznesmenë nga ana e rrjetit kriminel, dhe janë marë dhjetëra milion euro, qeveria nuk është ndaluar vetëm tek Orce Kamçev dhe për gjithë këtë është informuar Zoran Zaev”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO më tej gjithashtu shtojnë se manipulimi dhe përzierja e qeverisë në punën e gjykatave dhe procedurat që udhëheqë prokurorë të caktuar është më se e qartë dhe askush më nuk beson në këtë qeveri.

“Zaev ka përgjegjësi dhe duhet të japë dorëheqje, por nuk ka guxim të përballet me revoltin e qytetarëve të cilët do ta dënojnë në zgjedhjet parlamentare, sepse askush nuk dëshiron të jetojë në një shtet ku pushteti është në krye të rrjetit kriminel, e ku në mënyrë të organizuar reketohet dhe ku drejtësia është koncept që mbronë kriminelët”, shtojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga kjo parti gjithashtu kërkojnë zgjedhje të parakohshme me qëllim që siç thonë, dënimi të arrijë edhe kryeministrin Zaev dhe të ndodhin ndryshime në vend.