Po na mungon Mehmet Latifi, sot do festonte 70 vjetorin

0
Mehmet Latifi

Nga Naser Pajaziti/

Doajeni i gazetarisë shqiptare Mehmet Latifi sot do festonte 70 vjetorin, pasi që pikërisht më 15 mars ia uronim ditëlindjen.

Na mungojnë bisedat e këndshme përplotë begati dhe leksione jete.

I mbetëm borxh atij njeriu të vlerave të mëdha dhe që ishte një enciklopedi e pasur, që la shumë vepra dhe dorëshkrime.

Ai me plotë kuptimin e fjalëd mbetet doajeni i publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. Mungesa e tij po ndjehet nga Struga e deri tek Presheva e tij, aty ku nisi rrugëtimin sfidues që në vitet e fundit e përplasi në valët e liqenit.

Atë e kujtojmë si një personalitet me vlera të mëdha që nuk nënshtrohej para askujt, një gazetar ‘rebel’ që nuk dorëzohej para çdo sfide, duke qenë në anën e të vërtetës.

Jetëshkrimi

Mehmet Latifi lindi më 15 mars 1949 në Preshevë, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse, nga prindërit Latif dhe Hamide Latifi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në qytetin e Zarës, ku u vendos që nga viti 1974, me familjen e ngushtë. Në vitin 1988, valët e jetës e sollën në Strugë, së bashku me vajzën e mrekullueshme Anita… Plotë 30 vjet ishte i përkushtuar në gazetari e publicistikë…, duke qenë një reporter, gazetar, redaktor dhe këshilldhënës në agjencinë e lajmeve INA.

Pas një sëmundje të rëndë, më 4 prill 2018, në Strugë u nda nga familja, miqtë, shokët dhe kolegët, gazetari dhe publicist Mehmet Latifi, duke na lënë me dhimbje e trishtim të thellë, por njëherit edhe kujtime të pashlyeshme. Ai la një opus të pasur dhe të rrallë të dorëshkrimeve që duhet të gjejnë dritë, sepse janë pasuri kombëtare.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!