Po nxehet situata mes Prishtinës dhe Shkupit, Bekteshi ia kthen letren Shalës

0

Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate i është përgjigjur Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës pas një letre paralajmëruese se po shqyrtohen masa reciprociteti, në rast se nuk hiqen barrierat për disa produkte kosovare.

Në letrën e Ministrisë së Ekonomisë bëhet e ditur se Agjensia për Ushqim dhe Veterinari që në muajin qershor i ka informuar autoritetet e Kosovës se aktet e reja ligjore janë sjellë në përputhje me rregullativën Evropiane.

“Agjencia është Trup e licensuar në përputhje me standartet Evropiane dhe të njëjtat standarte i zbaton në mënyrë joselektive gjatë importit të mallrave në RMV. Rregullorja në fjalë është harmonizuar me Rregulloren e Komisionit Evropian të 12 marsit të vitit 2010. Në bazë të kësaj rregulloreje Republika e Kosovës nuk është e shënuar për importin e lejuar të akuakulturës dhe në përputhje me rrethanat kjo është shënuar edhe në legjislacionin tonë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.

Megjithatë, nga kjo ministri thonë se ata do t’i përgjigjen kërkesës së Kosovës për të gjetur një zgjidhje.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka kërkuar nga homologu i tij që të veproj, ndryshe do të merren masa reciprociteti.

“Sot i kam dërguar letër ministrit të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut, z.Kreshnik Bekteshi dhe i kam kërkuar që sa më shpejt të largohen barrierat të cilat i ka vendosur ky shtet ndaj produkteve kosovare. Ndryshe ne do të shqyrtojmë masa reciprociteti për të gjitha prodhimet e Maqedonisë së Veriut që eksportohen në Kosovë”, është shprehur ai.(INA)