Poezi nga opusi i Fatos Rushitit

ina-online
ina-online

10 Korrik, 2023

NË SHKUP TË GJITHË PËRGJOJNË

 Orienti dhe oksidenti rrijnë ngjitas

Pas shpinës sime në Shkup

E kuqja dhe e zeza përgjojnë

Ndodhirat e mbrëmjes

 

Tek flas me miq gazetarë duke ngrënë darkë

Përsëritemi nëpër llafe të pista politike

 

Ah objektivja ku mbeti ajo

A foli apo nuk foli për diktat Karl Poperi

Krejt njësoj për evropianët e Mogherinit

 

Në Shkup të gjithë përgjojnë

Edhe macet mbi kontejnera

Edhe qentë e palarë të rrugës

Edhe përmendoret e Filipit dhe Aleksandrit

Na përgjojnë se sa e lëvizim perin

E kënaqësisë

Sa e ngrisim zërin kundër Qeverisë

 

Ai më i madhi merret me bujq e pensione

Merret me socialin ai i madhi

E rrin i qetë

Kur na sheh si korruptohemi

Kaq lehtë

Ne njerëzit në nevojë

 

Oh objektivën e paskan fshirë lypsat

E paskan fshirë te Rrapi në Shkup

 

Se në Kumanovë u rrënua fillimi

Bërtiti dikush

 

Orienti ra

Oksidenti tha

Fallin e bëjmë ne

 

Në Shkup të gjithë përgjojnë

 

 

KAFKË BALLKANIKE

 

Kafkë e qetë

Pesë mitra pranë saj

Zog i zi ec përrreth

Nga një mendim lëshon mbi kafkë

 

Kafkë ballkanike

Se kush pëshpëriti

Nga rrethanorët qiellor

 

Tinguj universi

Tunguj uni ilir

Se kush i këndon kafkës

Me kaq sentiment mesdhetar

 

Ka një Zeus

Ka një Apollon

Që ruan kujtime për këngët

E shumë kafkave pellazge

 

Ka një shqiptar të uritur

Për dije e shije antike

Që i’u flet tani me kaq delikatesë

E pyet

 

Kush e mallkoi kafkën

Dhe trupin e saj kaq të shpërndarë

 

 

MENDIM

 

Lëshoj dorën mbi lugjet e Përmetit

Nis të hapet dita e krijimit të parë

 

Pa dashje shkel një hartë ilire me këmbë

Atje mbi Këlcyrë

Them bëra mëkat

E më ikë aq larg bashkimi i arbërve

Liria e tyre fshehur në skaje e dete

 

Prandaj ëndërroj lojën

Me hidhërimin e Zotit

Ku ka gabuar me nënat

 

Ku është e fshehur e bukura

E Rilindjes Kombëtare

Që goja ime s’e prek dot

 

Profecitë e ndjenjës klithin e çmenden

Mbi tokën e çarë mbi tokën e thatë

 

O ujë i lindjes së re

Bëje shqiptarin mendim

Pendim e profet bëje

 

ASGJSË S’LËVIZ NË BUKURI

 

Ka ikur dita s’di se ku

Njerëzit luhaten si manaferra

Kuptimi për fatin vetëm rastësi

Që prish rehatinë

E kënaqësive të vjetra

Ka ikur qeshja e mesditës

S’di se ku

Bari rritet i qetë mbi tryezë

Era nuk i ngacmon dritaret

Asgjë s’lëviz në bukuri

Ka pushuar së foluri

Goja e jetës

Të njëjta grisen magjitë

Orgjitë të njejta mësimet

S’ka ndryshuar racionalja provinciale

Qyteti hesht në zhurmën e vet

Sa shumë vetura

Sa pak wc publike

Vajzat vetëm në kafene rrinë

Çunat shigjetojnë kot

‘’Mishi do mishin’’ thotë një poet spanjol

Ejakulim do të thotë pak

Për ta lagur politikën e rrugës

Për ta grisur durimin e njerëzve varfanjak

Për ta çuar Kumanovën fluturimthi

Në Los Anxhelos

Të bëhet një kumanovare Vinona Rajder

O Qyteti hesht

Hesht në zhurmën e vet

E dita ka ikur s’di se ku

 

RRËSHQITUR KAH DERA

 

Në maje të buzëve

Në dalje të bebëzës të shoh

Dhe flas me ty si njeri i harruar nga miqtë

Flas për gojën e kësaj loje të turpshme

Dhe i bëj bllok mëkatit

I bëj ftesë mençurisë të vie në kokën time tani

Sa për ta përbi kuptimin e bisedës

Bebëzo

Ëndërra e bukur për ty

Ka qejf të vij në gjakun tim në deje

Të shpupurisë normalen time familjare dhe

Sentimentale

Po ëndërra e lagur për ty

Hyn e del kujdesshëm në fijet e zemrës sime

Të uritur për më shumë dashuri kozmike

Në daljen e bebëzës tënde kah faqet

I them dorës mos mos dhe mosss

Ajo iku në kontinentin e kaltërt

Ku vetëm kuaj të bardhë vrapojnë pas erës

Dallëndyshet ngrijnë duke cicëruar

Ajo iku e nuk do të kthehet më

Në mendimet e lagështa rinore

Por unë e dua

Kështu sikur nuk do me ardhë

Sikur nuk do të më prekë në gishta

Kështu e dua

Dhe mjafton të bëhem njeriu më i vetmuar tani

Kështu si po hesht e s’po më flet më

E dua e dua Bebëzën

E dua në puthje të shpejta

Mbështetur për muri

E dua

 

MALL PËR PRISHTINËN

 

Prishtina më miklon me të ftohtin e saj

Në lokalet më me stil brenda

Kujtoj kohën e rritjes sime këtu

Dhe shoh një shoqe të studimeve e trashur

Tamam si unë tani

Por sytë e kaltër e të egër përsëri me çuan në uri

Ajo më fton për llafe tani

E unë kujtoj pickimin e dorës në biblotekë

Dhe të qeshurat e shokëve anash

Ajo një grua e lumtur me çantë të bukur në krah

Me po aq spontanitet masiv

Në qitje buzësh kah sytë e mi

Më ndjell habi e kujtim

Me sjell sentimentalen e frikshme në rini

Kur qeshja sa bukur i varej në buzë si tani

Ah ajo qeshja që më mbante freskët

Nëpër lexime çdo ditë

 

Student dikur isha sudent

I Prishtinës pra

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

la casa de papel

Rikthehet “La Casa De Papel”, kur do të mund t’i shihni seritë e reja

Carshia-e-Shkupit

Shkupi mund Budva-n në Bruksel

armina nuraj

Reagon përfaqësuesja e shqiptarëve nga Sanxhaku: Nuk jam serbe, pse nuk po ma pranoni diplomën në Kosovë!

Ismet Vejseli

Tenori kumanovar Ismet Vejseli shpërblehet në Vjenë me çmimin “Silver Award”

Netflix

Bëhuni gati! “La Casa De Papel” rikthehet, seritë e reja do të shfaqen premierë në dhjetor në Netflix

dashnim hebibi

Në tre librat e rinj të Dashnim Hebibi, do të gjeni veten të pasqyruar në petk fisnikërie

hkolla_klasa_derrasa_e_zeze_sindikata greve

Fshati Simnicë pa asnjë nxënës në klasë të parë

xhamia tabanoc

Xhamia në Tabanoc e ndërtuar para 400 viteve

librat-780x439

Shkollave profesionale në Maqedoni u mungojnë libra

INFO

NA NDIQ