Pogradeci hap sezonin turistik (VIDEO)

Pogradeci ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror. Qyteti liqenor synon të tërheqë sa më shumë pushues gjatë kësaj vere, ndërsa ka ofruar shumë argëtime përmes aktiviteteve të ndryshme që do të shtrihen gjatë gjithë verës dhe që synojnë ta bëjnë sa më argëtuese të gjithë kohën e pushimit që turistët do të kalojnë aty.

Gama e pasur e traditës jo vetëm në kulinari apo mikpritjen pogradecare, por edhe në aspekte të tjera prej kohësh është kthyer në një tërheqje për vizitorët që vijnë jo vetëm nga Shqipëria por edhe vende të tjera.

“Une jam nga Amerika dhe kam ardhur ne Shqipëri kohe me pare dhe doja te rikthehesha perseri. Sapo mu dha rasti erdha. Kam qene ne Durrës por kur mesova per Pogradecin dhe liqenin vendosa te vij ketu. Tani kam nje apartament ketu dhe mesoj joga dhe me pelqen shume ketu. Me pelqen liqeni, malet, qyteti, ushqimi dhe njerezit e mrekullueshëm. Jo vetem qyteti por edhe fshatrat perreth jane te mrekullueshme”, shprehet një turiste e huaj.

Liqeni i Ohrit gjatë ditës, e freskia në mbrëmje, Korani dhe belushkat por edhe çmimet konkurruese përgjatë viteve të fundit e kanë kthyer Pogradecin në një pol të rëndësishëm të turizmit që pret çdo verë mijëra pushues./TCH