I riu nga Kumanova denoncon për rrahje brutale policin Mihajlloviq (VIDEO)

0

Shenjat në fytyrë, Erxhan Ibishi thotë se i ka nga goditjet e forta, deri në alivanosje, në stacionin policorë të Kumanovë, deri sa ishte i prangosur.

Ai thotë se u rrah nga polici Stefan Mihajloviq, pa asnjë justifikim brenda hapësirave të SPB Kumanovë, të shtunën 9 gusht, raporton kronika e TV Alsat-M.

“I lidhur kam qenë me duar nga prapa dhe sa u ula edhe ai erdhi në ato momente dhe filloi të më godasë me grushte nëpër fytyrë- deklaroi Erxhan Ibishi, Personi i dëmtuar.

Sipas dëshmisë së tij dhe të personave që e shoqëronin, ngjarja e ndalimit të tij erdhi kur patrulla policore u thirr nga sigurimi i një lokali të lojërave të fatit në qendër të qytetit. 31 vjeçari e kishte të ndaluar të frekuentonte objekte të lojërave të fatit. Por, Erxhani thotë se nuk ishte ndaluar në hyrje nga sigurimi i lokalit dhe arritja e policëve në objekt deri në prangosjen e tij ka ndodh pa asnjë rezistencë apo shkëmbim fjalësh.

“Jo nuk ka rezistuar vetëm se ju ka thënë tani po dal pse po më kapni menjëherë me dhunë!? Mua më nxorën jashtë, pastaj më morën edhe mua në stacion. Në pyetje më ka marr ai polici që e ka rrahur Erxhanin me tha pse nuk dolët menjëherë, i thash a na thatë që e kemi të ndaluar hyrjen! Kam dëgjuar në qelinë tjetër duke bërtitur dhe zhurma të goditjeve.”

Erxhani thotë se në stacion policor nga orën 2 të natës u mbajt deri në 5 të mëngjesit, prej ku edhe me veturë të policisë është lënë para derës së shtëpisë së tij, pa ndjenja.

“Skam mundur as të lexoj, madje fqinjin tim që punon polic e pyetsha prej nga je! D.m.th aq shumë ka qenë pa vetëdije, prandaj nënshkrova. Më pyet a të duhet doktor, u thash jo! Nuk desha të vij mjeku se ata pastaj do e bënte punën e tij në favor të policisë. Kështu ndryshe kur shkoj vet te mjeku privat.

Të nesërmen, Erxhani thotë se pasi erdhi në emergjencë nga mjekët u konstatuan dëmtimet e rënda trupore. Madje ai sot ka bërë ekzaminime shtesë, prej ku i kanë thënë se rrezikon të humbas dëgjimin me veshin e majtë. Ai pretendon se polici Mihaloviq, nuk ka shkruar procesverbal dhe asnjë kallëzim për ngjarjen, në përpjekje të fsheh torturën. Familja Ibishi do të kërkoj drejtësi.

“Do të padis Ministrinë dhe personin do të thotë policin bë fjalë. Avokati tha ka bazë sepse nuk ka guxuar as ta prek, por këtu e kanë rrahur brutalisht, sikur të ishte skllav.”

Por, një denoncim i ri i tij në SPB Kumanovë ka bërë që rasti të hetohet nga kontrolli i brendshëm i MPB-së. Në pritje të raportit nga Ministria e Brendshme, për ushtrim të tepër të dhunës, Alsat mëson se ngjarja nuk ka qenë e raportuar as në buletinin ditorë të punës së policisë në MPB Shkup./Alsat-M