Një patrullë policore në Banjskë-Izvor të Zveçanit është sulmuar me armë zjarri të premten, ka bërë të ditur Policia e Kosovës. Siç thuhet në njoftim, si pasojë e të shtënave nuk ka të lënduar, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në xhamin e veturës nga ana e shoferit, që sipas Policisë, dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
Policia ka thënë se janë marrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit.
Një veturë e tipit Opel është identifikuar si e dyshuar. Ajo është gjetur e braktisur në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi. Në afërsi të automjetit të dyshimtë janë vërejtur edhe gjurmë të personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur, thuhet në njoftim të Policisë.
“Automjeti i dyshuar i cili ka poseduar targa të dyshuara, të cilat dyshohet se nuk i përkasin të njëjtit automjet, është konfiskuar nga Policia e Kosovës për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore dhe të ekzaminimit”, bëhet e ditur në komunikatën e Policisë.
Pas ngjarjes, rasti është iniciuar si vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar./Koha.net