Policia në kërkim të ish-ambasadorit Gjergj Dedajt, nuk i ktheu tabelat dhe ID-të diplomatike

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj, i cili mbahet mend për refuzimin e dekretit të presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e tij, duket se ka sërish problem me punëdhënësen e tij, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

MPJD ka lëshuar urdhër për konfiskimin e tabelave të veturave zyrtare dhe të ID-ve diplomatike që po vazhdojnë të mbahen paautorizim nga ish-ambasadori Dedaj dhe ish-konsulli, Lindon Kqira, i cili po ashtu e pati vlerësuar si jokushtetues vendimin e Osmanit, raporton Sinjali.

Policia është në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar targat dhe ID diplomatike të ish-diplomatëve dhe familjarëve të tyre.

Policia me urdhër të MPJD-së po kërkon veturat e Dedajt dhe Kqirës, të cilat mbajnë pa autorizim targat diplomatike të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

Dedaj ende nuk i ka kthyer targat diplomatike NMK 50-CD-001, të cilat janë të vendosura në veturën e tij të tipit Mercedez Benz E.

Ndërkaq, targat diplomatike NMK 50 -CD – 005, po vazhdojnë të shfrytëzohen pa autorizim nga Kqira në veturën e tij, të tipit VW Passat, carvan.

Policia është vënë në kërkim të tyre, për t’ua konfiskuar edhe ID-të diplomatike që nuk janë dorëzuar ende nga ta dhe familjarët e tyre. Sapo të realizohet konfiskimi i këtyre dokumenteve, të njëjtat nga kjo ministri do t’u kthehen autoriteteve të Maqedonisë së Veriut.