Pompeo: Kemi larguar të gjithë diplomatët nga Venezuela

0

Të gjithë diplomatët amerikanë që kishin mbetur në Venezuelë, u larguan nga vendi të enjten, në mes të një krize politike mbi legjitimitetin e rizgjedhjes së presidentit Nicolas Maduro në vitin 2018, tha sekretari i shtetit Mike Pompeo.

“Diplomatët amerikanë tani do të vazhdojnë këtë mision nga vende të tjera, ku ata do të vazhdojnë të ndihmojnë në menaxhimin e rrjedhës së ndihmës humanitare për popullin e Venezuelës dhe të mbështesin aktorët demokratë që guxojnë t’i rezistojnë tiranisë”, tha Pompeo në një deklaratë.

Një zyrtar i SHBA tha se diplomatët u larguan me një avion civil, të prenotuar enkas për ta. Departamenti i Shtetit kishte njoftuar tashmë se do të tërhiqte stafin e mbetur diplomatik nga Venezuela këtë javë.

Uashingtoni ka marrë rolin udhëheqës në njohjen e Juan Guaidos, shefit të kongresit, 35-vjeçar, i cili e deklaroi veten si president i përkohshëm në janar, duke e quajtur rizgjedhjen e Maduro 2018 një mashtrim. Shumica e vendeve në Evropë dhe në Amerikën Latine kanë ndjekur shembullin.