Pompeo: Kontributi i Kinës kundër Covid-19 i parëndësishëm krahasuar me dëmet që ka bërë

0

Sekretari i Shtetit amerikan, Mike Pompeo, sot e ka quajtur njoftimin e Kinës për një pagesë prej 2 miliardë dollarësh për të luftuar pandeminë si “të parëndësishme” në krahasim me qindra-mijëra jetë të humbura dhe dëmet e bëra.

Pompeo hodhi poshtë pretendimet e presidentit Xi Jinping, se Pekini vepronte në mënyrë transparente pas shpërthimit të pandemisë në Kinë, duke shtuar se Xi duhet të kishte mbajtur një konferencë për shtyp dhe të lejonte gazetarët të shtronin pyetje.

“Presidenti Xi tha këtë javë se Kina po vepron në mënyrë të hapur, transparente dhe me përgjegjësi. Unë do të doja që të ishte kështu”, tha Pompeo në një konferencë për shtyp, duke shtuar se Kina vazhdon të mohojë mostrat e virusit dhe qasjen në lehtësira dhe “shumë, shumë më tepër se kaq”.

Tensionet midis Shteteve të Bashkuara, vendi më i prekur në pandemi dhe Kina janë rritur në javët e fundit.