Pompeo: SHBA-ja do të vazhdojë presionin mbi Iranin

0

Shtetet e Bashkuara do të mbajnë presionin mbi Iranin dhe do të vazhdojnë të pengojnë agresionin e tij në rajon, por nuk duan që konflikti me Teheranin të përshkallëzohet, tha të martën sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njofton REL.

Frika nga një konfrontim midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara është rritur, pasi Uashingtoni fajësoi armikun e vjetër, për sulmet e së enjtes në dy depozita nafte pranë rrugës strategjike të Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë për revistën Time, presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ishte i përgatitur të merrte masa ushtarake për të ndaluar Teheranin të posedojë armë bërthamore, por ai e la si çështje të hapur nëse do të përdorte forcën ushtarake për të mbrojtur furnizimet e naftës në Gjirin Persik.

“Presidenti Trump nuk dëshiron luftë dhe ne do të vazhdojmë ta komunikojmë këtë mesazh përderisa bëjmë gjërat që janë të nevojshme për të mbrojtur interesat amerikane në rajon”, tha Pompeo.

Teherani ke tensionuar marrëdhëniet me Uashigtonin, prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në mes të Iranit dhe fuqive botërore.

Prej asaj kohe, Uashingtoni ka rivendosur sanksione ndaj Iranit, ka ashpërsuar retorikën dhe ka rritur prezencën në Lindje të Mesme, duke rritur shqetësime për ndonjë konflikt të armatosur.