Pompeo: Trump, i gatshëm dhe për ndërhyrje ushtarake kundër Turqisë

0

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se nëse lind nevoja, presidenti Donald Trump është i përgatitur të përdorë edhe forcë ushtarake kundër Turqisë. Ai nuk e shprehu se cila do të ishte vija e kuqe, por tha se parapëlqejnë sanksionet ekonomike e diplomatike. Trump ka marrë kritika të shumta nga vetë republikanët për braktisjen e kurdëve, të cilët e luftuan ISIS-in përkrah SHBA-ve.

“Ne parapëlqejmë paqen para luftës”, tha Pompeo në një intervistë për CNBC. “Por nëse do të nevojiten veprime ushtarake, duhet ta dini që presidenti Trump është mëse i përgatitur që ta ndërmarrë atë hap.”

Presidenti amerikan është kritikuar shumë pas vendimit për të tërhequr forcat amerikane nga Siria e Veriut, duke braktisur kështu kurdët, të cilët vazhduan një luftë të ashpër kundër ISIS-it. Tërheqja e amerikanëve solli ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në zonë, që la rreth 120 civilë të vrarë, sipas Vëzhgimit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britaninë e Madhe.