Shkruan: Vullnet Poshka
Incidenti me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit nuk është i veçuar. Përkundrazi, është përbuzja e radhës që shteti i maqedoncave ua bën shqiptarëve, në këtë rast presidentes së një shteti shqiptar.
Them shteti i maqedoncave se i shqiptarëve nuk ka qenë, dhe i këtillë siç është as që do të jetë. Sjellja e zyrtarit maqedonas në aeroport është vazhdimësi e sjelljes raciste të zyrtarëve maqedonas ndaj shqiptarëve që nga formimi i këtij shteti. Ky është racizëm institucional dhe nuk ka si të quhet ndryshe.
Kjo që ndodhi me Vjosa Osmanin ka ndodhur me shumë zyrtarë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria apo Kosova. Historia përsëritet në formë groteske sepse për maqedoncin shteti është i tyre dhe ai projektohet kundër shqiptarëve.
Dhe si zakonisht, partitë politike “shqipfolëse” janë ato që përpiqen të nxjerrin përfitime të ulëta e të mjera politike. Partitë në pushtet thonë se arritën të shmangin incidentin diplomatik, ndërsa ato në opozitë trumpetojnë se u cënua integriteti i Kosovës. Se u ha palla shumë partive “shqipfolëse” për Kosovën o për kombin shqiptar. Këto grupe interesi që nuk çajnë kokën për popullin e vet nuk mund të duan më shumë popullin e Kosovës apo të Shqipërisë.
Tre vjet më parë kthehesha nga Kosova. Policia kosovare kontrolloi pasaportat e udhëtarëve në autobus sepse binte shi. Sapo kaluam anën tjetër të kufirit, një police maqedonce urdhëroi të gjithë pasagjerët të dalin nga autobusi dhe të formojnë një radhë për të pritur në sportel. Ashiqare punë e kotë, vetëm për t’i keqtrajtuar. E pyeta shoferin e autobusit ç’ndodh kështu? Më tha se gjithmonë bëjnë kështu me autobusët nga Kosova.
Zbrita dhe e pyeta policen: Mbi çfarë baze i terrorizoni këta njerëz dhe i detyroni të qëndrojnë në shi? Nuk të jap llogari ty, m’u përgjigj. I thashë do të lajmëroj ambasadën amerikane, dhe i kërkova të thirrë eprorin. Ajo i bëri me dorë njërit me uniformë, sikur të ishte kamarier, dhe iku në drejtim të kundërt. Kur ky u afrua më foli shqip. E pyeta ç’është kjo sjellje primitive e doganieres? O mik, ti e bën shumë problem këtë punë, tha ai. Të gjithë e dinë se ajo është “nji budallicë”, vazhdoi ai. Unë nuk merrem me të, tha zyrtari “shqipfolës”. Si nuk merresh me të, përse je punësuar këtu? Nëse qenka budallicë, atëherë çojeni në Bardovc, por si duket ajo nuk duhet të shkojë vetëm, ia ktheva dhe vazhdova rrugën.
Përgjigja e këtij zyrtari e ilustron më së miri pozitën e shqiptarëve në MV. Ata janë aty sa për sy e faqe, sa për statistikë, ashtu siç është 20 përqindshi. Ky 20 përqindësh don të thotë se po doli shqiptari nga Shkupi, në Çair do të gëzojë ca të drejta, në Gjorçe Petrov ato i suprimohen, në Saraj i rikthehen, e kështu me radhë varësisht cilin katund e kalon. Se shqiptari nuk ka të drejta qytetare por katundare, aq sa i jep qytetari maqedonas. Një mashtrim tjetër epokal është pjesëmarrja e shqiptarëve në pushtet pa pasur fare pushtet. Numri i ministrive që drejtojnë as që përbën ndonjë ndryshim për ta, përveç punësimin e ndonjë të afërmi të ministrit apo dikujt që ka mbushur kutitë e votimit. Ministri shqiptar nuk guxon të prekë apo të përjashtojë maqedoncin, por mund të largojë shqiptarin nga administrata. Kjo vazhdon deri sa në pushtet të vijë partia tjetër “shqipfolëse” që përjashton shqiptarin tjetër. Cikli vazhdon pandërprerë.
Në kohën e komunizmit njerëzit thonin se komunizmi i ka fajet prandaj shqiptarët ishin të nënshtruar e të përbuzur. Më kujtohet një rast kur bashkëudhëtari i autobusit nga Prishtina me të kaluar “kufirin” hoqi plisin e bardhë nga koka dhe vuri partallen e zezë. Ishte e qartë se e bën nga frika, ndaj nuk i thashë gjë.
Por sot, pas tridhjetë e kusur vitesh demokraci, shqiptarët akoma mbeten numra statistikorë që përbuzen sa herë të dojë maqedonci, sepse përfaqësuesit e tyre kanë pranuar rolin e të përbuzurit e të nënshtruarit. Dallimi është se partitë “shqipfolëse” e kanë sofistikuar këtë rol dhe popullit i shesin mjegull. Për paaftësinë profesionale të tyre thonë se është interes i partnerit ndërkombëtar, kurse lëpirjen pas pushtetit e interpretojnë si strategji euroatlantike. Mungesa e kompetencës shpjegohet si mos pasje përvoje kurse vjedhja dhe korrupcioni si pjesë e kulaçit të pushtetit. Sikur i pyet dikush ata për orientimin e vendit, për gjeopolitikën apo për ndikimin rus në rajon.
Ndërkohë miletit i jepet ikonografia deri sa të ikë ku sytë këmbët nëpër Europë.
Një i urtë pat thënë se kur robi do kuptojë se është rob, ai bëhet gjysëm i lirë. Këtë shqiptarët vështirë e kuptojnë, ndaj kanë udhëheqësit që i meritojnë.