Pozhari flet për Pacollin dhe “strategjinë” e tij me Halil Kastratin! (FOTO)

0

Nga Xhevdet Pozhari/

Shumëkush i ka vënë në diskutim aftësitë për politikbërje të Behgjet Pacollit. Mirëpo që nga aktivizimi i tij në politikë, ai ka dëshmuar se din të përshtatet dhe të mbijetojë në politkën ballkanase. AKR rrugëtimin e saj politik e nisi në vitin 2007, ku edhe u rendit si partia e tretë me 13 deputetë. Shfrytëzoi “kartën” se Pacolli do të investojë në Kosovë. Këtë karrem e hëngrën shumë intelektualë. Shpejtë u dëshpëruan. Pavarësisht ikjeve nga kjo parti, në zgjedhjet e radhës Pacolli arriti ta ruajë stabilitetin në koalicion me LDD-në.

Pasi i shfrytëzoi mirë “akademikët” e pakënaqur, dhe kur më nuk shitej vizioni i tij për zhvillimin ekonomik, filloi me “merkatot politike”, për të mos thënë blerjen e individëve të caktuar. Mimoza Kusari-Lila do t’ia mundësonte vazhdimin e mashtrimit në masë. AKR’ja do të fitonte në dy komunat më të varfra të Kosovës – Mitrovicë e Gjakovë. Gjatë kësaj kohe Pacollin do ta shihnim herë si president, herë si ministër të jashtëm, herë si zv/kryeministër. Më pas radha i erdhi edhe Labit! Pacolli ishte vënë në gjah pas emrave që gëzonin famë.

Në zgjedhjet e fundit e shfrytëzoi LDK-në, njëjtë siç e kishte përdorur dikur degën e saj LDD-në, për të siguruar ulëset në Parlamentin e Kosovës e që më pas numrat t’ia ofronte themelimit të Qeverisë Haradinaj-Veseli. Iu nda një copë e madhe e Qeverisë. Pazari ishte i kënaqshëm, shumë i kënaqshëm për një njeri që me çdo kusht donte të mbijetojë politikisht. Gjatë kësaj kohe nuk ia pertonte të koketojë edhe me Vetëvendosjen, e herë bëhej pajtues i krerëve të partive politke në shtëpinë e tij luksoze në Hajvali.

Pavarësisht kapacitetit të tij në diplomaci, Pacolli për më shumë se një dekadë dëshmoi se është pazargji i pa konkurrencë në Kosovë. Shumë rivalë apo bashkëpunëtorë të ngushtë të tij tashmë janë harruar, por jo edhe ai! Ai vazhdon të jetë në lojë i gatshëm për të përdorur kartën e tij të radhës.

Pacolli ka kohë që e ka shënjestruar Halil Kastratin. Shumëkush do të thoshte se ky qëllim i tij do të dështojë, mirëpo nëse e lexoni me vëmendje rrëfimin e shkurtër për gjimnastikat e tij politike, më e besueshme është se do t’ia arrijë qëllimit! Edhe ashtu, nuk ka çfarë të humbasë! Pjesëmarrja në politikë për një biznesmen të këtij kalibri dhe postet me çdo kusht që ai i synon, janë një “vizitkartë” e rëndësishme nëpër takimet ku lobon për njohjet e Kosovës (pavarësisht se kemi tërheqje të njohjeve, e jo njohje të reja) dhe fiton paqtë në bizneset e tij. Dhe sa më shumë që përfiton dhe i shfrytëzon të tjerët, aq më i zëshëm do të jetë viktimizimi i tij se është sakrifikuar dhe ka bërë shumë për Kosovën!/Tetova1