Prapaskenat e ‘betejës’ së pushtetarëve për dy vota për demarkacionin

0

Prijësit e institucioneve të Kosovës nuk arritën të bindin as deputetët e VV-së as të Listës Serbe për t’ua dhënë dy vota që të kalonte demarkacioni

Seanca për demarkacionin, e cila u shty për tri herë radhazi, as sot nuk mori epilog.

E paraparë të niste në orën 10:00, ajo nisi me një orë vonesë. E gjatë kësaj kohe kryemnistri bashkë me ministra të PDK-së e deputetë të LDK-së, po tentonin t’i bindnin deputetët e Vetëvendosjes që ta votonin këtë Projektligj.

Seanca nisi me 67 deputetë, ku në sallën plenare nuk ishin prezentë as deputetët e Listës Serbe, e vëmendja ishte tek deputetët e VV-së, të cilët nuk kanë ndërruar qëndrim, madje e rikonfirmuan atë duke thënë se 32 votat e tyre janë blanko kundër demarkacionit.

Kjo Marrëveshje sipas shefit të grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, duhet hequr komplet nga votimi, duke e quajtur paradoks Marrëveshjen e 2015-ës dhe raportin e Bulliqit që e kundërshton atë.

Gjithsesi, Kuvendi shkoi në pauzë, për t’i lënë kohë Komisionit për punë të jashtme që ta procedojë Projektligjin me ndryshimin e kërkuar nga LDK, por deputetët nuk u kthyen më.

Në pauzën e seancës, përderisa Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme po e shqyrton Projektligjin e dakorduar nga disa grupe parlamentare, Pacolli tha se është duke u punuar që të sigurohen votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj Marrëveshjeje të nënshkruar në gusht të vitit 2015, raporton Kallxo.com.

“Unë e di se sot apo pak më vonë, demarkacioni do të kalojë dhe nëse kalon demarkacioni këto ditë, ne e kemi fituar të drejtën që kah vjeshta e këtij viti edhe kosovarët të udhëtojnë pa viza”, tha Pacolli.

E derisa zëvendësi i tij thoshte se janë duke punuar për votat, shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj tha se nuk e dinte edhe sa vota i duheshin.

“Nuk e dimë a janë dy a ma shumë. Jemi në seancë seanca do ta vërtetojë”, tha Haradinaj.

E shefi i GP të LDK-së, Avdulah Hoti u bënte thirrje deputetëve të VV-së që ta votonin këtë Marrëveshje.

“Unë ftoj VV-në të bashkohet ne këtë kauzë dhe të përmbyllim këtë çështje edhe të bëhet liberalizimi i vizave”, tha Hoti.

Ndërkohë që në hollin e Kuvendit deklaroheshin politikanët, Komisioni për Punë të Jashtme ishte mbledhur për të proceduar Projektligjin për demarkacion me një ndryshim, fjalën ‘orientim’ cila i është shtuar pas kërkesës së LDK-së.

Kryetarja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani herën e parë numëroi votat gabim, arsye pse Komisioni u detyrua të mblidhej përsëri brenda gjysmë ore. Pas përmirësimit të gabimit në numërimin e votave, Komisioni e procedoi në seancë demarkacionin.

E derisa këto ngjarje zhvilloheshin në prani të mediave, larg syrit të gazetarëve po zhvillohej një takim mes liderëve të vendit dhe Listës Serbe.

Në zyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj ishin mbledhur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Dalibor Jevtiq dhe deputetë të Listës Serbe.

I pari që lëshoi takimin ishte Presidenti, i cili kur u pyet nëse i kishin bindur deputetët serbë për ta votuar Demarkacionin, iu shmang përgjigjes me ‘qysh jeni, a jeni lodhë?”.

Rreth gjysmë ore më vonë nga ndërtesa e Qeverisë doli edhe kryeparlamentari. Ndërsa në fund dolën kryeministri bashkë me zëvendësin e tij serb, Dalibor Jevtiq.

Haradinaj e Jevtiq nga zyra e kryeministrit u zhvendosën në atë të presidentit. Aty erdhi edhe Veseli e Behgjet Pacolli, të cilët bashkë me Thaçin po prisnin delegacionin e BE-së.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, bashkë me përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini, dhe komisionarin Johaness Hahn, zhvilluan takim me krerët institucionalë me dyer të mbyllura për më shumë se një orë.

Më pas, shefi i Komisionit Europian dhe presidenti Thaçi dolën në konferencë për media.

Aty Juncker kërkoi nga Kuvendi ta votojë demarkacionin duke e cilësuar si “hap kyç e i pashmangshëm” drejt liberalizimit të vizave.

Ai tha se kur të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionit “qytetarët e Kosovës do të jenë përfituesit e parë”.

Ndërsa Thaçi tha se edhe pse sot kjo Marrëveshje nuk u ratifikua, u shpreh i bindur që kjo shpejt do të ndodhë.

“Jam i bindur se Marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme dhe në momentin që do të ratifikohet unë jam i bindur që presidenti Juncker do ta marrë vendimin e duhur për t’i hequr kosovarët nga izolimi”, tha presidenti Thaçi.

Nga aty, zyrtarët e lartë të BE-së u drejtuan në Bibliotekën Kombëtare, ku do të takoheshin me përfaqësues të shoqërisë civile, politikanë e gazetarë.

“Përderisa ka korrupsion dhe krim të organizuar asgjë e mirë nuk do të ndodhë”, tha Juncker.

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, gjatë të cilës është paraparë të votohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, është shtyrë për një datë të pacaktuar.