Prapaskenat, ja lufta SHBA-Kinë për rrjetin 5G dhe rreziku Huawei, Uashingtoni kundër depërtimit të Pekinit në Ballkan

0

Shqipëria, me dashje ose jo, është bërë pjesë e luftës SHBA- Kinë për rrjetin 5G. Pak ditë më parë, ambasada e SHBA kërkoi të bëhet kujdes me instalimin e rrjetit 5G, duke lënë të nënkuptohet se rreziku real sipas tyre vjen nga Kina. Gazeta po jep sot detaje mbi përplasjet reale mes SHBA dhe Kinës, mbi rrjetin 5G dhe kërcënimin që vjen nga Huawei. Kompania kineze Huawei është furnizuesi më i madh i telekomit në botë dhe prodhuesi numër dy i telefonave, por në vende si SHBA kjo kompani është e ndaluar dhe e hedhur poshtë. Mediat e huaja kanë raportuar në lidhje me këtë çështje, teksa ka thënë se FBI ka marrë masa ndaj këtij gjigandi. Gjatë këtij viti kompania kineze pati një rritje të fuqishme në shumë vende të botës, por në SHBA kjo kompani është e padukshme. Arsyeja kryesore që SHBA-të japin, është siguria kibernetike dhe ajo kombëtare. Për këtë arsye SHBA-të kanë ndaluar këtë kompani, por po ashtu kanë bërë thirrje edhe në vendet e Evropës që të kenë kujdes nga kjo kompani. Mes të tjerash apeli i SHBA-ve vlen edhe për Shqipërinë, pasi qeveria kishte lajmëruar se ky rrjet do të instalohej edhe në vendin tonë. Ajo që SHBA-të thonë nuk është refuzimi i instalimit të rrjetit 5G, por pasja kujdes nga kompania kineze pasi siç shprehen ata përbën rrezik në sigurinë kibernetike. Debatet mes dy shteteve kanë nisur që në vitin 2018, por ishte një vendim i Trump për tu ndaluar amerikanëve blerjen e telefonave Huawei që solli dhe agravimin e kësaj lufte tregtare dhe politike. Ndërkohë Gjermania ishte e vetmja që kishte pranuar instalimin e rrjetit 5G, pro tani pas shpërthimit të debateve edhe Gjermania po kërkon që të tërhiqet.

Lufta SHBA-Kinë

Portali “CNET” ka realizuar një analizë të detajuar të situatës. Aty thuhet se Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka zbuluar aktakuzat në janar, ku përfshiheshin 23 akuza të cilat kishin të bënin me vjedhjen e pronës intelektuale, pengimin e drejtësisë dhe mashtrimin në lidhje me evazionin e saj të pretenduar të sanksioneve amerikane. Por kompania kineze Huawei e ka mohuar prej kohësh çdo akuzë që SHBA-të kanë hedhur ndaj tyre dhe vijojnë të deklarojnë se janë të pafajshëm. SHBA-të e kanë ndaluar përdorimin e pajisjeve Huawei që në vitin 2012 me urdhër të presidenti të SHBA-ve Donald Trump. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një kthim të përkohshëm për kompanitë, duke i lejuar ata të punojnë me Huawei deri në gusht. Kjo përsëritje u shtua më pas në nëntor. “CNET” ka publikuar një artikull ku bën radhitjen kronologjike të luftës mes SHBA-ve dhe Kinës për Huawein. Në 8 janar të 2019 Huawei ka luftuar për tu futur në SHBA. Ndërkohë në 17 shkurt të 2019, ishte Britania e Madhe ajo që po ashtu doli në konkluzionin se rrjeti 5 G është i rrezikshëm, sa i përket sigurisë. Në 12 shkurt të këtij viti, sekretari i shteti Mike Pompeo bëri një deklaratë që mund të ketë thelluar luftën dhe po ashtu të ketë bërë që shumë vende të tërhiqen nga instalimi i këtij rrjeti, pasi ai tha se përdorimi i Huawei përben rrezik. Por Kina nuk ka qëndruar pa lëvizur në këtë luftë mes dy fuqive të mëdha botërore, pasi në mars të këtij viti, Huawei padit qeverinë e SHBA për ndalimin e pajisjeve të saj. Por kur Gjermania pranoi instalimin e rrjetit 5G, SHBA nisi menjëherë presionet që ajo të tërhiqej pas. Në 12 mars qeveria amerikane i kërkoi Gjermanisë të heqë Huawei ose në të kundërt ajo do të kufizonte ndarjen e inteligjencës. Gjatë gjithë vitin 2019 kanë ndodhur një sërë dinamikash që tregojnë luftën mes të dy superfuqive. Por ajo që vlen të theksohet është apeli i SHBA në Ballkanin Perëndimor, pasi amerikanët kanë bërë thirrje që të bëhet kujdes me rrjetin 5G. Ishte ambasada amerikane e cila vetëm pak ditë më parë e solli këtë problem në Shqipëri, pasi bëri apel që lëvizjet të kryhen me shumë kujdes.

Arbjona ÇIBUKU