Prej Zvicrës në Kosovë me biçikleta

0

Dy kosovarët me banim në Luzern të Zvicrës, Arben Krasniqi dhe Kristijan Qeta, të dielën janë nisur me biçikleta nga Zvicra në Kosovë, ku siç ka thënë njëri prej shokëve, pritet të udhëtojnë për rreth 2.300 km.

Udhëtimi i tyre pritet të përfundojë më 23 korrik me arritjen e tyre në Kosovë, derisa gjatë kësaj ekspedite ata do të kenë mundësinë t’i vizitojnë nga afër 11 shtete tjera, raporton “Zëri.info”.

“Ideja ka lindur mes dy shokëve më shumë ta provojmë se ku është kufiri ynë, pra rruga për në Kosovë. Për qëllim i kemi 11 shtete. Do të thotë t’i shohim nga afër këto 11 shtete, si dhe për 23 ditë ta përfundojmë udhëtimin tonë drejt Kosovës”, ka thënë Arbren Krasniqi.

Jo çdokush mund të udhëtojë mijëra kilometra me biçikletë e për këtë sfidë që Krasniqi së bashku me shokun e tij Kristijanin që kanë vendosur ta kalojnë paraprakisht u është dashur edhe përgatitje.

“Nëse gjithçka shkon sipas planit, në Kosovë e kemi planifikuar të vijmë më 22 korrik sepse jemi para planit që e kemi pasur. Kthimin në Zvicër kemi planifikuar ta bëjmë me aeroplan, pasi na duhet pushim shtesë për t’u kthyer me biçikletë. Paraprakisht për më shumë se një vit në Zvicër kemi qenë në një bjeshkë të njohur atje, kemi ushtruar disa herë dhe kemi pasur njohuri”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch.

Ai ka treguar se gjatë kësaj ekspedite kanë vendosur që bukuritë e Ballkanit t’i shohin nga afër duke ngarë biçikletën, pasi këto bukuri nuk do t’i përjetonin nëse do të udhëtonin me veturë ose edhe me aeroplan.

“Kemi marrë një muaj pushim. Jemi nisur nga Lucerni më 1 korrik. Tani jemi në Trieste të Italisë. E veçanta ka qenë natyra të cilën e kemi parë, fillimisht në Zvicër, në Parkun Nacional të këtij vendi, që ka një natyrë të bukur, si dhe pjesë tjera të mrekullueshme të këtij vendi. Përshtypje shumë pozitive më kanë lënë rrugët për biçikleta në Itali, të cilat janë shumë të bukura dhe të ndërtuara me qindra kilometra enkas për biçikleta”, ka thënë ai.