Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të themelojë Trupin Kombëtar Koordinues për Reformat në Arsimin e Lartë, qëllimi i të cilit siç thuhet do të jetë që përmes një procesi gjithëpërfshirës të bëjë një plan se si të përmirësohet cilësia e sistemit të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Rektorët e universiteteve synojnë një dialog ku do të merren parasysh kërkesat dhe nevojat e tyre. Ekspertët kërkojnë që politika të qëndrojë sa më larg universiteteve dhe njëherë e përgjithmonë të ketë një plan praktik që do të nxjerrë nga humnera arsimin e lartë dhe të rris cilësinë e studimeve, duke pasur parasysh edhe nevojat e tregut.
Naser Pajaziti
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për reforma në arsimin e lartë, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me një realitet të vështirë: cilësia e arsimit nuk ka njohur përmirësime të dukshme, dhe sistemi arsimor shpesh herë duket se është duke u ngulfatur nga hiperinflacioni i fakulteteve. Kjo situatë ka ngritur shqetësime serioze rreth të ardhmes së arsimit të lartë dhe përgatitjes së studentëve për tregun e punës.
Reformat në arsimin e lartë janë shpallur më shumë si një nismë politike sesa si një proces i vërtetë dhe funksional. Pas çdo zgjedhjeje, është zakon që qeveritë të premtojnë ndryshime thelbësore që do të transformojnë përvojën akademike. Megjithatë, pas disa viteve, shumica e këtyre nismave janë zvarritur ose kanë mbetur në letër, duke sjellë një situatë të vështirë për studentët dhe këdo që beson në potencën e institucioneve arsimore.
Çdo vit hapen fakultete të reja, shpesh për të plotësuar një marrëveshje politike sesa për të përmbushur nevojat e vërteta të studentëve dhe tregut të punës.
Si rezultat, cilësia e arsimit vazhdon të bjerë, duke lënë shumë studentë të pa përgatitur për sfidat profesionale dhe akademike që i presin pas diplomimit. Një tjetër shqetësim i madh është fakti që asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut nuk është renditur në listën e famshme të Shangait, e njohur për vlerësimin e cilësisë së arsimit të lartë në mbarë botën.
Aliu: Po formojmë Trupin Koordinues Kombëtar për reformat në arsimin e lartë
Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të themelojë Trupin Kombëtar Koordinues për Reformat në Arsimin e Lartë, qëllimi i të cilit do të jetë që përmes një procesi gjithëpërfshirës të bëjë një plan se si të përmirësohet cilësia e sistemit të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht çfarë masash duhet të ndërmerren në e ardhmja për të arritur standarde të larta arsimore. Këtë e thekson për INA, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu.
“Qëllimi i këtij trupi, përveç avancimit të arsimit të lartë dhe shkencës, do të jetë rishqyrtim kritik i rrjetit universitar, si dhe definim i qartë i aktiviteteve dhe realizimi i detyrimeve të cilat do të kontribuojnë për futjen e standardeve evropiane dhe kritereve për cilësinë e arsimit të lartë dhe shkencës dhe për integrimin e vendit në hapësirën e vetme arsimore dhe shkencore evropiane”, thekson zëvendësministri Aliu.
Në punën e këtij trupi do të marrin pjesë përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve shkencore, ASHAM, MASH, Agjencia për Cilësi të Arsimit të Lartë, Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Veprimtari Kërikimoro-Shkencore, komuniteti i biznesit dhe sektori qytetar.
Sipas zëvendësministrit Aliu, rezultatet fillestare të këtij trupi do të jenë të dukshme pas një viti e gjysmë.
“Cilësia e sistemit të arsimit të lartë në Maqedoni gjatë viteve të fundit është në rënie të vazhdueshme, ndërsa veprimtaria kërkimore-shkencore është reduktuar në minimum. Kjo pasqyrohet në të gjitha fushat e tjera zhvillimi i të cilave bazohet pikërisht në investimet dhe kujdesin e vendit ndaj arsimit të lartë dhe shkencës. Është nevojë urgjente krijimi i strategjisë dhe politikave afatgjate të cilat duhet patjetër të harmonizohen përmes procesit gjithëpërfshirës dhe do të jenë rezultat i koordinimit dhe komunikimit ndërmjet të gjitha institucioneve të interesuara dhe faktorëve shoqëror të interesuar në përgjithësi. Gjithashtu në fokus si prioritet është rritja e mjeteve për mbështetjen e arsimit të lartë dhe veprimtarisë kërkimoro-shkencore”, thekson Aliu.
Rektorët draftuan tekstin e Ligjit të Arsimit të Lartë
Sa i përket gjendjes së arsimit dhe reformave që nuk japin rezultate edhe në arsimin e lartë, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (SEEU), Abdylmenaf Bexheti thekson për INA se problemi qëndron te sistemi i arsimit në kompleksitetin e tij, në të gjitha nivelet, por kulmi i improvizimit arrihet në arsimin sipëror.
“Përderisa sistemi bazohet në sasi e formë dhe jo cilësi e substancë, është vështirë të pretendohen ndryshime të suksesshme. Druaj të përdorë termin “reformë” se më aludon në “proformë”! Çështja është shumë komplekse për të shpjeguar me pak rreshta. Tash e 18 muaj unë po udhëheq Konferencën interuniversitare dhe atë të Rektorëve (rreth 17 universitete) dhe shfrytëzuam rastin që sapo “politika” u fokusua në zhgjedhjet e sivjetme, ne punuam për tre muaj në draftimin e tekstit të Ligjit të Arsimit të Lartë, të cilin (për herë të parë pas tre dekadave) e draftoi unanimisht sektori i arsimit të lartë. Tani i mbetet politikës ta shqyrtoj, pranoj apo refuzoj, por gjithë përgjegjësinë e ka drejtpërdrejt ajo! Nesër nuk mund të arsyetohet (si deri me tash) se vet universitetet e kanë draftuar ligjin”, theksoi Bexheti.
Ai thekson se ka dialog për reforma edhe me ministrinë e Arsimit, për të arritur ndryshimet e synuara.
“Shpresojmë të gjejë mbështetjen edhe te Qeveria që disa ndryshime (edhe radikale) ti realizoj, të bazuara jo në politika ditore, por në vlerësimet paraprake që do ti bëjë Këshilli i Vlerësimit, një organ kompetent pranë Agjencisë për cilësi në arsimin e lartë në RMV”, theksoi rektori i UEJL, Abdylmenaf Bexheti.
Qeveria e re duhet të lexojë qartë sistemin korruptiv e nepotik dhe nivelin e ulët të cilësisë në qeverisje përfshirë edhe arsimin e lartë të të gjitha qeverive të kaluara, kjo përmes një ekspertize të mirëfilltë profesionale. Lajmi i fndit se asnjë nga Universitete tona nuk është i ranguar në Listën e Shangajit flet qartë për gjenjen e përgjithshme të të gjtha universiteteve tona publike.
Profesorët kërkojnë që ekspertizë ekspertësh dhe jo politikë
Drejtori i Institutit të Studimeve Sociale dhe Humanistike (ISSH) dhe njëherit profesor universitar, prof.dr.Arsim Sinani thotë për INA se nuk sheh ndonjë plan konkret, përpos asaj që del si propozim.
“Duhet një diskutim publik që të shihet cilat janë modelet më të mira. Duhet të ndryshojë logjika dhe të merret parasysh ajo çka mund të jetë reale për Maqedoninë veriore. Duhet që ekspertët e fushës të merren me projektimin e një vizioni, e jo partitë të menaxhojnë arsimin për interesa të veta ditore duke i kënaqur egot e veta. Them se ka shumë njerëz që kanë ide dhe projekte, dhe pikërisht ata duhet të jenë pjesë e nismave konkrete. Një herë diskutim, planifikim, projektim dhe realizim për të ndërtu një model”, thekson Sinani.
Sa i përket mosrangimit të universiteteve të vendit në listat prestigjioze të universiteteve, Sinani thotë se kjo paqartësi tregon se institucionet arsimore në vend tërheqin shumë pak vëmendje ndërkombëtare dhe shpesh konsiderohen si të dorës së dytë në krahasim me universitetet më të njohura evropiane dhe botërore.
“Kjo ndikon jo vetëm në reputacionin e vendit, por gjithashtu pengon mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit akademik. Për më tepër, është e nevojshme të krijohet një dialog më i ngushtë midis institucioneve arsimore dhe sektorit privat, për të identifikuar nevojat reale të tregut të punës dhe për të ofruar programe që janë të përshtatshme dhe relevante. Vetëm në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mund të rrisë potencialin e saj për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, thotë profesor Sinani.
Profesori i shkencave juridike pranë Universitetit të Tetovës, prof.dr.Fatos Rushiti thekson për INA se për reforma të thella në arsimimin e lartë nevojitet një ekspertizë dhe veprim në nivel të ekspertëve, duke marrë për bazë modele të huaja të suksesshme.
“Qeveria e re duhet të krijojë koncept zhvillimor dhe inovativ për shkencë dhe teknologji përmes krijimit të një strategjie për zhvillimin e arsimit të lartë minimum 10 vjeçarë. Dhe për hulumtime e projekte shkencore të qindfishojë buxhetin me qëllimin që ti ndihmojë Universiteteve, konkretisht profesoratit të jetë në hap me trendet sotshme të platformave shkencore si Skopus, Webshkencë e tj, kjo pasi Maqedonia e Veriut qëndron sipas bindes sime më dobët në Ballkanin Perëndimor”, vlerësoi profesori Rushiti.
Sipas tij, deri me tani Këshilli i Akredimit ka qenë jashtë rrjedhave normale të kohës për punën që duhej bërë, sepse Ministria në vend që të përzgjedh ekspertë të dëshmuar sipas praktikave të vendeve të zhvilluara, ajo zgjedh sharlatanë partiakë që të merren me menaxhimin e procesit të akreditimit.
“Në vija partiake njëherë i kanë zgjedhur njerëzit sidomos funksionarët partiak e pastaj i kanë përshtatur programet dhe lëndët në bazë të kualifikimeve të tyre siç ka ndodhur deri me tani. Në vend se Qeveritë të dërgpjnë kuadro jashtë për i shkolluar në drejtime specifike, ata i mbushën me programe të shkencave humane dhe punësuan kuadro partiak po njëjtë siç bënë edhe më keq me vite të tëra në universitetet publike”, theksoi Rushiti.
Sipas tij, kjo Qeveri me premtimet dhe synimet që ka përfundimisht duhet që arsimin e lartë ta nxjerrë nga karakteri pedagogjik për ti vënë bazat drejt karakterit shkencor e hulumtues.
Me një sistem të ngarkuar me probleme dhe pa asnjë tregues të qartë për përmirësim, është koha që të gjithë aktorët e involvuar të rishikojnë prioritetet e tyre dhe të angazhohen për një transformim të vërtetë që do të sjellë ndryshime pozitive në arsimin e lartë.
Me këtë tekst, INA i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti i Studimeve të Komunikimit zbaton në bashkëpunim me median në kuadër të projektit “Përdor faktet”, që mbështetet nga Ambasada Britanike