Presidenti i Kroacisë i reagon BE-së: Pse askund nuk thuhet se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar sot se askund në dokumentet e BE-së nuk thuhet se Serbia duhet të njohë të Republikën e Kosovës.

Kur u pyet nga mediumi serb ‘Tanjug’ për të sqaruar atë që mbeti pa u thënë nga Forumi i Prespës në Ohër në Maqedoninë e Veriut, dokumentet e BE-së thonë se Serbia duhet të njohë Kosovën, presidenti kroat u përgjigj se askund nuk thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër kishin bërë thirrje për integrimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse në rajon.

Në debatin e organizuar me temë “Çka pas luftës në Ukrainë?”, liderët e vendeve pjesëmarrëse u shprehën në favor të dhënies së statusit të shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe Bosnjës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në fjalimin e saj, Osmani bëri thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimeve ruse dhe kineze në rajon.

“Kosova tash e pesë vjet po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit të BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj, u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, deklaroi Osmani në tribunën me temë: “Çka pas konfliktit në Ukrainë?”.

Osmani mbështeti dhënien e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, porse një status të tillë, tha Osmani, duhet t’i jepet edhe Bosnjës si dhe Kosovës, e cila planifikon të aplikojë.

“Sa më shumë vakum të lërë BE-ja në Ballkanin Perëndimor, aq më të këqija do të jenë ndikimet ruse dhe kineze në rajon. Çështja është shumë e thjeshtë, nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështeteni statusin e shtetit kandidat për Kosovën dhe Bosnjën. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështeteni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, theksonte Osmani, më 16 qershor.

Duke përsëritur deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentja Osmani, tha se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Njohja e ndërsjellë, siç e dimë të gjithë, është zgjidhja e vetme, e cila do të sjellë stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, tha Osmani.

Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në fjalimin e tij ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-ja të vazhdojë me procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.