Presidenti kërkon një Inter të guximshëm ndaj “mbretëve” të Champions-it

Presidenti i Interit, Steven Zhang, mblodhi dje në mëngjes së bashku, në mënyrë elektronike, të gjithë ekipin, trajnerin Simone Inzaghi dhe zonën teknike, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm Sportiv, Giuseppe Marotta, për një fjalim motivues në prag të aventurës së re në Ligën e Kampionëve.

Presidenti, siç raportohet nga faqja zyrtare e Interit, përsëriti angazhimin dhe gatishmërinë e tij për ta mbajtur Interin konkurrues në të gjitha kompeticionet.

Qëllimi është një dhe i vetëm: të vijohet me fitoret. Ai i kërkoi ekipit të luajë me guxim, pa presion ndaj Real Madridit, për të dhënë gjithmonë më të mirën në fushë, kundër çdo kundërshtari.

Së fundi, presidenti zikaltër donte të mirëpriste të gjithë lojtarët e rinj që janë bashkuar me grupin e kampionëve të Italisë këtë sezon, duke riafirmuar përgjegjësitë dhe vlerat zikaltër.

Sipas tij, ata që veshin fanellën zikaltër duhet të përfaqësojnë gjithmonë me dinjitet stemën e klubit dhe miliona tifozë në të gjithë botën.