Presidenti Trump kërcënon të shpallë Emergjencën Kombëtare

0

Presidenti Donald Trump e quajti situatën në kufirin jugor të SHBA-së “një pushtim”, një tjetër shenjë kjo se ai është tani më pranë shpalljes së një emergjence kombëtare. Kjo mund t’i jepte atij autoritetin ligjor për të filluar ndërtimin e një muri kufitar që e ka premtuar prej kohësh.

Demokratët kanë refuzuar të votojnë për një buxhet që do të përfshinte kërkesën e presidentit për më shumë se 5 miliardë dollarë për të filluar ndërtimin e një barriere të përhershme përgjatë kufirit me Meksikën.

Presidenti Trump ka refuzuar të nënshkruajë një buxhet qeveritar nëse nuk i jepen fondet për murin. Ngërçi ka çuar në një mbyllje të pjesshme të qeverisë e cila të premten hyri në ditën e 21-të. Meqenëse Kongresi nuk do të punojë gjatë fundjavës, mbyllja e tanishme shënon një rekord të ri në historinë amerikane për nga kohëzgjatja, duke kaluar tre javët.

Në vazhdim, i hedhim një vështrim se cila është domethënia e një Emergjence Kombëtare.

Çfarë është Akti i Emergjencës Kombëtare?

Ky ligj hyri në fuqi për shkak të një nevoje të perceptuar për t’i dhënë fund gjendjeve të emergjencave kombëtare pa afat dhe për të zyrtarizuar fuqinë e Kongresit. Ligji hyri në fuqi në shtator të vitit 1976 për të kufizuar autoritetin e presidentit për të shpallur emergjencat kombëtare, përfshirë që atyre t’i jepet fund pas një periudhe 2-vjeçare.

Po ashtu, secila prej dhomave të Kongresit duhet të votojë njëkohesisht një rezolutë, e cila do përcaktonte në se emergjenca kombëtare duhet të përfundojë; kjo në një afat kohor jo më vonë se 6 muaj pas deklarimit të emergjencës e më pas, çdo 6 muaj, për sa kohë që vazhdon gjendja e emergjencës.

​A mundet ta përdorë Trump autoritetin e shpalljes së emergjencave për të ndërtuar murin?

Me pak fjalë, PO.

Si president, Trump ka autoritetin për të deklaruar gjendjen e emergjencës kombëtare. Megjithatë, ai mundet të mos ketë autoritetin gjithëpërfshirës, që zakonisht shoqëron deklarimin e një situate emergjente.