Presidentja Osmani: Alfabeti i ka afruar shqiptarët jo vetëm ndër vete, por edhe me Evropën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka kujtuar Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Alfabetit, i cili sot ka shënaur 113 vjetorin.

Ajo ka theksuar se alfabeti i ka afruar shqiptarët jo vetëm ndër vete, por edhe me Evropën, synim i cili po jetësohet edhe sot e kësaj dite.

“Gjuha shqipe është e lidhur ngushtë me ekzistencën kombëtare tonën, ndaj sot e kujtojmë me respekt veprën e 50 delegatëve nga 26 qytete të ndryshme, shoqata e klube, të cilët më 1908 në Manastir u bënë bashkë rreth vlerës sonë identitare- gjuhës shqipe. Me këtë alfabet u bë edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, ndaj gjuhën tonë duhet ta ruajmë, ta duam e ta kultivojmë, sepse siç thotë pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit, Mit`hat Frashëri: Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Shqiptarët kudo ku janë shënojnë ditën e Kongresit të Manastirit i njohur si Kongresi i Alfabetit, i cili është mbajtur prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, duke standardizuar alfabetin e gjuhës shqipe.