Prezantim dinjitoz i arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare në SHBA, nga profesori i Universtetit të Tetovës, Prof. Dr. Arbër Çeliku

0

(Artikulli është shkruar nga M. De Jean, drejtoreshë e marketingut, në NIU College of Business dhe është publikuar në NIUToday dhe në mediat e shkruara dhe elektronike në shtetin e Illinois-it, SHBA).

Një botë paqeje… e këtillë është ëndrra dhe forca vepruese e profesorit Arbër Çeliku. Çeliku është shqiptar autokton nga Maqedonia e Veriut dhe momentalisht profesor vizitues në Fakultetin e biznesit të Northern University Illinois (NIU). Ai ka doktoruar në Universitetin e Mannheim-it, Gjermani në fushën e gjermanistikës dhe komunikimit ndërkombëtar ndërkulturor. Hulumtimet në këtë fushë ai ua përcjell këtë semestër studentëve të masterit të programit MBA të Northern Illinoi University (NIU).

Ju mund të mendoni se ligjërimi në vende të huaja në fushën e komunikimit ndërkulturor shkon me territorin. Megjithatë, s’ka rëndësi se ku ai udhëton, profesori Çeliku e sjell me vete shtëpinë e tij, Gadishullin Ballkanik. Siç e përshkruan ai, Gadishulli Ballkanik është një pjesë komplekse e botës, e karakterizuar nga ekstremet: duke filluar nga bukuritë e shumta natyrore që janë karakteristike për Evropën Juglindore, deri te shoqëritë multikulturore dhe çështjet e komplikuara gjeopolitike dhe territoriale. Nëpër rrjedhat e historisë, Evropa Juglindore ka qenë e pushtuar nga gjermanët, rusët, grekët, turqit dhe ushtri të tjera. Rajoni ka pasur përvojën e qeverive të ndryshme, komuniste, fashiste e deri te demokracia e brishtë. Në kohën e sodit, më shumë se 50 parti politike ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, për segmente të mëdha të popullsisë, dekada ndryshimesh drastike si këto, kanë pasur efektin e kombinuar të kufizimit të qasjes në mundësitë e barabarta për të gjithë – arsimore, profesionale, zhvillimore.

Pikërisht për këtë arsye, për Çelikun, nevoja për paqe sa vjen e bëhet më e patjetërsueshme. Arritja e tij më e dukshme përgjatë këtij udhëtimi ka qenë themelimi i Qendrës për paqe dhe komunikim transkulturor në Universitetin e Tetovës (UT), një universitet i konsoliduar ky me rreth 25.000 studentë, me seli në Tetovë, Maqedonia e Veriut. Qendra, të cilën ai e projektoi para gjshtë vjetësh, zyrtarisht është inauguruar në vitin 2018, përmes bashkëpunimit midis NIU-së dhe UT-së.

Këto dy universitete hapat e para të bashkëpunimit i hodhën në vitin 2014, kur Çeliku ende ishte dekan në Universitetin e Tetovës, më vonë edhe prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar. Hapja zartare e Qendrës dhe më pas udhëtimet pasuese në fund të vitit 2018 për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit, përfshinin menaxhmentin dhe profesoratin e UT-së, menaxhmentin dhe profesoratin e NIU-së, Ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, dy ministra të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dekanët e fakulteteve të Administrim-Bisznesit të të dy universiteteve dhe studentë.

“Është kënaqësia jonë e veçantë që, këtë verë dhe përgjatë semestrit të vjeshtës, t’i urojmë mirëseardhje në Barsema Hall mikut tonë të çmuar dhe të nderuar, Profesor Çelikut”, thotë Dekani i Fakultetit të Biznesit të Northern Illinois University, Balaji Rajagopalan. “Gjatë kësaj periudhe kohore sfiduese, njohuritë e Profesor Çelikut mbi rëndësinë e krijimit të mirëkuptimit dhe pikave të përbashkëta, kanë një domethënie të madhe. Është një bisedë kuptimplote jetësore për ta filluar dhe për ta pasur në vazhdimësi”.

Dhe, përderisa Çeliku hedh zellshëm dritë mbi natyrën e ndërvarur midis paqes dhe komunikimit, ai gjithashtu e pranon me gatishmëri se komunikimi efektiv shpesh ndodh të jetë gjithçka përpos i lehtë.
“Stereotipat i gjen kudo”, shpjegon ai, “dhe mund të jetë e vështirë t’i zhbësh ata. Kjo pjesërisht është e vërtetë, kur ata krijohen dhe përforcohen nga figurat udhëheqëse në shoqëri”. Çeliku më tej shton se, për të ndodhur ndryshimi, gjenerata e re “duhet të jetë e përfshirë në mënyrë aktive” dhe të kontribuojë.

“Gjenerata e re priret më shumë drejt bashkëpunimit. Perspektiva e saj është më e hapur; të menduarit më i lirë. Në një farë mënyre, koha punon për ta… ata nuk i kanë zhvilluar më tej shumë paragjykime të trashëguara”.

Vështrimi i tij këtu rezonon fuqishëm me z. Anthony Preston, ndihmës dekanin e Fakultetit të Bisnesit, përgjegjës për programet në nivelin master, sa që ai i kërkoi profesor Çelikut ta ndante përvojën e tij të madhe akademike me studentët e programit MBA të këtij fakulteti.

“Profesori Çeliku sjell shumë gjallëri në klasën mësimore me përvojën e tij të madhe akademike, sa ne të gjithë mund të mësojmë prej tij”, thotë z. Preston. “Komuniteti i biznesit sa vjen e bëhet më global. Studentët tonë të masterit, me siguri do të punojnë me njerëz nga vende, kultura dhe etnikume të ndryshme. Edhe pse studentët tanë këtë semestër nuk mund të udhëtojnë jashtë shtetit, shkaku i pandemisë, ne jemi tepër falënderues që ata akoma mund t’i mësojnë perspektivat globale nga dora e parë, përmes diskutimeve dhe punëtorive të profesorit Çeliku”.

Në të vërtetë, profesori Çeliku me ëndje i fillon diskutimet e tij, duke pohuar se, madje edhe në një botë mirë të rrjetëzuar, nganjëherë aktet e vogla marrin përmasa monumentale. Implikaturat e tij rezonojnë një fuqi të madhe, kur ai jep këshilla, të cilat mund të përdoren menjëherë për krijimin e një komunikimi kuptimplotë.
“Ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se mbi supe e mbajmë vetë përgjegjësinë për veprimet tona. Durimi është atributi më i mirë për qenien njerëzore. Jini optimistë. Jini pozitivë. Jini syçelë. Përpiquni ta kuptoni njëri-tjetrin. Dëgjoni”.
Profesori Çeliku bën një pauzë të shkurtër, pastaj e përsërit me emfazë, “Dëgjoni. Dhe kijeni parasysh… kjo botë është e bërë për të gjithë”.