Prezantohet Mercedes-Benz GLB i ri

0

Pas promovimit të konceptit në muajin prill në panairin e veturave në Shanghai, Kinë, Mercedesi sot ka shpalosur zyrtarisht versionin serik të SUV-it GLB.

GLB ende vazhdon të jetë risia e Mercedesit me platformën MFA2, por nuk do të jetë i fundit, sepse në muajin shtator të këtij viti pritet të arrijë edhe gjenerata e re e modelit GLA.

Për dallim nga GLA, GLB ka më shumë hapësirë në kabinë (do të jenë në dispozicion edhe versionet me 5 dhe 7 ulëse), më shumë kapacitet në bagazh dhe me një pamje më të “egër”. Po ashtu, në dispozicion, ndër të tjera, do të jenë edhe dritat e përparme LED High Performance dhe dritat LED për mjegull.Duhet theksuar se te versioni me 5 ulëse, ulëset e pasme mund të mbështeten në raportin 40:20:40 si dhe mund të zgjaten. Ndërsa te versioni me 7 ulëse, Mercedesi për pasagjerët në rendin e tretë ka vendosur edhe airbagët anësor, mbajtësit për gota, etj.

Duke pasuar parasysh lidhjen “farefisnore” me A-Class, B-Class, CLA-në dhe gjeneratën e ardhshme të GLA-së, edhe GLB i ri vjen me interier të ngjashëm që përfshinë instrument-tabelën digjitale, ulëset me sistemin e ngrohjes dhe masazhit, si dhe vrimat e ventilimit në formë turbine.

Hapësirë të veçantë në interier merr edhe sistemin për informim dhe argëtim MBUX (Mercedes-Benz User Experience), i cili ka aftësinë e të mësuarit falë inteligjencës artificiale, si dhe menaxhimin inteligjent përmes zërit.

Gjithashtu, duhet përmendur edhe ndriçimin në interier si dhe sistemet si “Active Distance Assist” (sistemi për mbajtjen e distancës), “Active Lane Change Assist” (sistemin për ndërrimin e korsive) dhe “Active Emergency Stop Assist” (sistemi i ndaljes emergjente).

Mercedes GLB i ri është i gjatë 4.6 metra, i gjerë 1.8 metra, i lartë 1.6 metra si dhe boshtin e rrotave të gjatë 2.8 metra, përcjell Koha.net. Sa i përket kapacitetit të bagazhit, GLB në version me 5 ulëse ka kapacitet të bagazhit nga 560 deri 1.755 litra.

Sa i përket gamës së motorëve të GLB-së së re, fillimisht në dispozicion do të jetë versioni GLB 200 (me motor benzinë me kapacitet prej 163 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik me 7 shpejtësi); GLB 250 4Matic (me motor benzinë 2.0-litër me 224 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik me 8 shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat); GLB 200d (me motor dizel 2.0-litër me 150 kuajfuqi dhe marshin automatik me 8 shpejtësi); GLB 200d 4Matic (me motor dizel 2.0-litër me 150 kuajfuqi, marshin automatik me 8 shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat); si dhe GLB 220d 4Matic i cili nën kofano ka motorin dizel 2.0-litër me kapacitet prej 190 kuajfuqi, në kombinim me marshin automatik me 8 shpejtësi dhe sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat.

Më vonë, do të arrijnë edhe versionet e reja, në mesin të cilave do të jetë pjesë edhe versioni sportiv AMG 35 me motor benzinë 2.0-litër Turbo me kapacitet prej 306 kuajfuqi.

Përveç versionit sportiv, gjatë vitit 2021 pritet të dalë në shitje edhe versioni elektrik nën etiketën EQB.

Prodhimi i Mercedes GLB, sipas njoftimeve të mëparshme, do të zhvillohet në Meksikë por edhe në fabrikën në Pekin – për nevojat e tregut kinez.

Sa i përket shitjes, Mercedes GLB në Evropë pritet të startojë më vonë këtë vit ndërsa çmimi i tij ende nuk është zbuluar.