Prishe lirisht kontratën me VIP ose T-Home nëse ta kanë hequr një kanal televiziv

0

Shfrytëzuesit e shërbimeve të operatorëve kabllovik “VIP” dhe “Telekom” mund të shkëputen pa paguar diçka shtesë nga ata, në formë dënimi, që në momentin kur operatorët hoqën disa nga kanalet televizive. Kështu thanë nga Agjencia për Komunikime Elektronike.

Nga 1 janari operatorët kabllovik “VIP” dhe “Telekom” hoqën disa kanale si “Diskoveri” dhe “Jurosport” duke i zëvendësuar me kanale të tjera. Shfrytëzuesit e shërbimeve të tyre mund të shkëpusin kontratat sepse nuk janë respektuar dispozitat paraprake të marrëveshjeve.

“Gjatë nënshkrimit të kontratës operatori është i detyruara që konsumatorëve t’ju sigurojë kanale të cilat i ofron në momentin kur e shkëput atë. Nëse vjen në një situatë të atillë, të shkëputen kanale, atëherë shfrytëzuesit lirshëm mund të drejtohen tek operatorët dhe nëse nuk ju përshtatet, duhet të sjellin ankesë në AKE. Ne do të lëshojmë vendim se operatori ka shkelur kontratën dhe parapaguesi mund ta ndërprenë atë në çdo moment”, thanë nga AKE.

Përndryshe, ditë më parë një numër i madh i qytetarëve u ankuan për heqjen e disa kanaleve televizive nga operatorët kabllovik. Në lidhje me këtë në AKE kanë arritur rreth 48 ankesa. Numri i ankesave pritet të rritet deri në fund të muajit janar.