Prishtina i përgjigjet Beogradit për propangandën për lëvizjen e lirë

0

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dëshiron të informojë publikun dhe bashkësinë ndërkombëtare në lidhje me propagandën e përhapur nga Beogradi për Marrëveshjen e Brukselit për Lirinë e Lëvizjes.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës rithekson përkushtimin e fuqishëm të institucioneve të Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në përputhje me marrëveshjen e Brukselit për qytetarët e Serbisë. Sipas nenit 3 të Marrëveshjes së Brukselit për Lirinë e Lëvizjes ‘Secila palë mund të aplikojë një sistem përmes të cilit kartat e identitetit do të shoqërohen me dokumente të shkruara ‘hyrje / dalje’ për personat nga pala tjetër që dëshirojnë të kalojnë në një vend të tretë ”.

Policia Kufitare e Kosovës po zbaton plotësisht Marrëveshjen e Brukselit dhe qytetarët serbë me letërnjoftim janë në gjendje të hyjnë në Kosovë pa asnjë pengesë. Për më tepër, pengesat në kufi po shkaktohen nga autoritetet kufitare serbe, gje që ka çuar në një kohë të gjatë pritjeje për qytetarët që duan të hyjnë në Kosovë.

Kosova hedh poshtë të gjitha përpjekjet e lajmeve të rreme të Beogradit për të treguar një realitet tjetër të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes. Kosova mbetet e angazhuar për detyrimin e saj ndërkombëtar dhe liria e lëvizjes do të sigurohet për të gjithë ata që dëshirojnë të hyjnë në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.