Prishtina për njohje, Beogradi për kompromis

0

Kosova dhe Serbia për arsye të ndryshme ende nuk kanë vullnet të fuqishëm politik për të arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërkohë që procesi i dialogut vazhdon vetëm për shkak të shtysës nga faktorët ndërkombëtarë, thotë drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti. Në anën tjetër, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, vlerëson se Brukseli zyrtar është tërësisht i papërgatitur për vazhdimit e dialogut.

Kosova dhe Serbia i janë rikthyer dialogut në Bruksel, pas 20 muajsh që kur ky dialog ishte ndërprerë dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar që presin nga palët që t’i kontribuojnë “normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Por, të dyja palët, vazhdojnë të kenë qëndrime skajshmërisht të kundërta qoftë për natyrën e këtij dialogu, qoftë për një zgjidhje të mundshme përfundimtare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar që dialogu me Serbinë është vetëm politik, “për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Por, në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Serbia është për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje, por nëse i bëhet thirrje që në dialog të shkojë “për të firmosur pavarësinë e Kosovës”, atëherë ai ka kërkuar që të mos i bëhet fare thirrje për pjesëmarrje në dialog.

Analisti politik, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu aktual nuk është në parametrat dhe as në rrethanat që është zhvilluar para disa vitesh.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia, ndonëse për arsye të ndryshme, ende nuk kanë vullnet të fuqishëm politik për të arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërkohë që procesi i dialogut vazhdon vetëm për shkak të shtysës nga faktorët ndërkombëtarë.