Priste të marë rrogën e dy muajve dhe të gëzojë nënën, humbi jetën në tërmet

0

Orët e para të 26 nëntorit, Shqipëria përjetoi një fatkeqësitë më të mëdha natyrore të dekadave të fundit, ku një tërmet mori 51 jetë të pafajshme. Mes atyre të tërmetit ishte edhe 25-vjeçari, Kristjan Preçi, pasi pallati ku ai banonte në Thumanë u rrënua terësisht nga lëkundjet e fuqishme të tokës. Babai i të riut, Marjan Preçi rrëfeu bisedën e fundit me djalin dhe dëshirën e tij që mbeti e paplotësuar. Ai tregoi se i biri priste të merrte rrogën pasi kishte punuar dy muaj në një fabrikë këpucësh dhe kishte planifikuar të festonte ditëlindjes e nënës së tij më 28 nëntor. “Biseda ime e fundit ka qenë po atë natë, para se të ndodhte kjo, darka e datës 25, rreth orës 19:00. Kishte dy muaj që kishte filluar punë dhe nuk i kishte marrë akoma lekët. Kishte filluar në një fabrikë këpucësh afër Fushë-Krujës. Ishte akoma në provë si të thuash, erdhi pronari i vetë që solli lekët e djalit që kishte punuar, se nuk i kishte marrë akoma rrogën. Kam pasur këtë kujtim me djalin atë natë: Nëna e vet më datë 28 Nëntor ka pasur ditëlindje. Më thotë babi, kur t’i marr lekët do ta marr mamin edhe gjyshen dhe do të shkoj të haj një drekë tek një restorant që është këtu, që kushton pak, se kam filluar edhe punë dhe kam qejf që ta çoj mamin dhe nënën.”, theksoi babai i tij. Babai i Kristjanit rrëfen dhe momentin kur mori vesh lajmin e hidhur për të birin dhe ndihmën që i dhanë për t’u kthyer nga Gjermania, aty ku punonte prej vitesh për t’u siguruar mbijetesën bashkëshortes, Kristjanit dhe nënës së tij. Babai i Kristjanit, i cili në momentin e tërmetit ndodhej në Gjermani së bashku me djalin e vogël, tregoi se u lajmërua nga vëllai i tij i madh, Moisiu për tragjedinë që kishte ndodhur.