Pritet drita jeshile për vizat, arrihet marrëveshja për demarkacionin

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook ka thënë se është arritur marrëveshja në mes të faktorit politik shqiptar, pa Vetëvendosjen, që të votohet demarkacioni.

Ky është njoftimi nga Veseli:

Të nderuar qytetarë,

Sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi.

Dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv.

Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin.

Për deputetin e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lumir Abdixhiku, arritja e marrëveshjes mbi propozimin e LDK-së është fund i viteve të humbura pa kuptim.

“Arritja e marrëveshjes mbi propozomin e LDK-së është lajm i mirë për Kosovën. Është fund i viteve të humbura pakuptim, e fillim i mundësisë për lëvizje të lirë. Republika fiton sot. Një falenderim të veçantë gjithë qytetarëve që na mbështetën në vazhdimësi”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook./INA/