PROCESI KAFKIAN NDAJ RAMUSH HARADINAJT

0

Nga Xhelal ZEJNELI/

Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi, pavarësisht nga faji (Franc Kafka)

 Lajmi për ftesën e Gjykatës Speciale të Hagës dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, për t’u marrë në pyetje si i dyshuar, tronditi tërë kombin shqiptar. Si është e mundur të thirret për t’u marrë në pyetje personi i cili tanimë dy herë është hetuar ngaTribunali për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY), me seli në Hagë dhe që të dy herët është shpallur i pafajshëm?!

Në 4 mars 2005,Tribunali i Hagës ngriti akuzëndaj kryeministrit R. Haradinaj “për krime kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve dhe të zakoneve të luftës” në periudhën mars-shator të vitit 1998. Më 8 mars 2005 ai dha dorëheqje. Të nesërmen u nis për në Hagë dhe iu dorëzua vullnetarisht gjykatës së sipërthënë. R. Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës në periudhën 3.12.2004-8.3.2005. Pas dy muaj qëndrimi në paraburgim, u lirua. U kthye në Kosovë për të pritur rifillimin e procesit gjyqësor. Më 26.2.2007 R. Haradinaj i rikthye në Hagë. Procesi gjyqësor kundër tij – vazhdoi. Prokurorja e Tribunalit të Hagës (ICTY), Carla del Ponte kishte mendim tejet negativ ndaj R. Haradinajt. Ajo e konsideronte kriminel lufte. Procesi gjyqësor rifilloi më 5.3.2007. Më 3.4.2008, Dhoma e gjykimit e Tribunalit të Hagës, Ramush Haradinajn, idriz Balajn dhe Lahi Brahimajn i shpalli të pafajshëm.

Golgota e R. Haradinajt nuk përfundoi me kaq. Procesi kafkian kundër tij vazhdoi. Më 18.8.2011 R. Haradinaj përsëri u ul në bankën e të akuzuarve të Tribunalit të Hagës. Më 29.11.2012, Ramush Haradinaj sërish u shpall i pafajshëm nga gjykata e lartpërmendur. Madje, bazuar në prova, Tribunali i Hagës vlerësoi se Ramush Haradinaj prore kishte vepruar për të parandaluar çfarëdo veprimi kriminal.

*   *   *

Në vitin 2006, për Ramush Haradinajn Serbia lëshoi një fletarrestim ndërkombëtar.  Duke u bazuar në një fletarrestim të tillë, më 17.6.2015 lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, R. Haradinaj u arrestua në Slloveni. Pas disa orë qëndrimi në aeroportin e Lubjanës nën ndalimin policor, R. Haradinaj u lirua.

Në bazë të të njëjtit fletarrestim serb, më 4 janar 2017 policia franceze e ndaloi kryetarin e AAK-së R. Haradinajn në aeroportin Basel-Mulhouse që ndodhet në zonën kufitare Francë-Zvicër-Gjermani. Pas katër muaj paraburgimi, më 27.4.2017 Gjykata franceze e Kulmarit e liron të paraburgosurin. Beogradi më kot priste ekstradimin.

*   *   *

Nga sa më sipër rezulton se ftesa e Gjykatës Speciale dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës – R. Haradinajt, sa bizare, po aq është edhe groteske.

Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli e dinë mirë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare dhe jo luftë pushtuese. UÇK-ja luftën s’e ka bërë dot në Serbi por në Kosovë. UÇK-ja ka bërë luftë kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare – pushtuese serbe. Në vitet 1998-1999 shqiptarët në Kosovë luftuan kundër kolonialistëve serbomëdhenj.

Lufta e UÇK-së ka qenë luftë:

– për çlirimin e Kosovës prej pushtuesve serbë;

– për parandalimin e pastrimit etnik të Kosovës të planifikuar dhe të ndërmarrë nga pushteti serb, me në krye kriminelin e luftës, S. Millosheviqin;

– për mbrojtjen e popullit nga krimet që i kryente në Kosovë falanga fashiste serbe;

– për t’i bërë ballë gjenocidit serb në Kosovë.

Në prag të qindvjeçarit XXI, në një pjesë të Evropës – në Kosovë, politika vrastare serbe bëri krime të tmerrshme:

– mbi 800.000 shqiptarë u dëbuan me forcë prej vatrave të veta; midis tyre, foshnja, fëmijë të vegjël, fëmijë të mitur, gra, pleq, të sëmurë dhe persona të pafuqishëm;

– 15.000 shqiptarë u vranë; 2400 prej tyre, luftëtarë të UÇK-së; të tjerët – popullsi civile; sipas të dhënave të huaja, nga pasojat e luftës kanë humbur jetën ose kanë vdekur12.000 vetë; sipas Fondit për të Drejta Humanitare, gjatë luftës çlirimtare të Kosovës janë vrarë 10.794 shqiptarë; në vitet 1998-1999 janë vrarë 239 fëmijë, me moshë prej zero deri në 5 vjeç;

– Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, numri i shqiptarëve të vrarë është 10.000;

– 5000 shqiptarë rezultojnë të zhdukur;

– në vitin 2001, në një terren për stërvitjen e policisë serbe në periferi të Beogradit, u gjetën 800 trupa apo mbetje mortore shqiptarësh; 700 trupa u zbuluan në një varr masiv afër Batajnicës, periferi e Beogradit; 77 trupa u gjetën në Petrovo Selo të Serbisë; 50 trupa u gjetën në Peruçac të Serbisë; kufomat e shqiptarëve u gjetën edhe në autofrigoriferin të hedhur në lumin Danub;

– sot e kësaj dite, 1653 shqiptarë evidencohen si të pagjetur;

– një numër frikësues i përdhunimeve.

*   *   *

Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës – 28.2.1998-11.6.1999 – forcat pushtuese serbe iu vërsulën edhe personaliteteve të shquara.

– Më 16.5.1999, ditë e diel, Ukshin Hotit iu komunikua lirimi nga burgu i Dubravës. Prej atij çasti i humbet çdo gjurmë;

– Ditën që filluan sulmet e NATO-s kundër forcave ushtarake pushtuese serbe, më 24.3.1999, para mesnatës, hordhitë barbare serbe ekzekutojnë në pragun e shtëpisë profesorin dhe poetin Latif Berisha.Vrasja e këtij poeti shqiptar nga falangat e regjimit serb të përkujtonarrestimin dhe vrasjen e poetit dhe të dramaturgut spanjoll Federiko Garsia Lorka(5.6.1989-19.8.1936) nga forcat ushtarake të Francisko Frankos në Granadë;

– Më 6.5.1999 profesori dhe akademiku Femi Agani, bashkë me shqiptarë të tjerëudhëtonte me tren drejt Shkupit. Falangat e regjimit të Beogradit e nxorën nga vagoni dhe e ekzekutuan.

Në korrik të vitit 1999, në Merdare, afër vendkalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, forcat ushtarako-policore serbe arrestuan vëllezërit Bytyçi – Yllin, Agronin dhe Mehmetin.Më 9.7.1999 u nxorën nga një stacion i policisë për t’u dërguar në një njësi policore të posaçme. Pas dy vjetësh, trupat apo mbetjet mortore të tyre u gjetën në Petrovo Selo të Serbisë lindore. Vëllezërit Bytyçi – shtetas amerikanë, ishin pjesëtarë të UÇK-së, në batalionin Atlantiku.

Për krimet e sipërthëna, sot e gjithë ditën nuk është përgjigjur asnjë serb, i asnjë niveli politik apo ushtarak. Madje, ka kohë që nga vende të caktuara të Perëndimit, Serbia po ledhatohet dhe po favorizohet.

*   *   *

Është e paarsyeshme për çdo shtetar dhe politikan të Perëndimit:

– të vizitojë Beogradin;

– të shtrëngojë duart me kryekriminelët e Ballkanit – Aleksandër Vuçiqin dhe Ivica Daçiqin.

Është e paarsyeshme për çdo shtet të Perëndimit:

– të investojë në një Serbi e cila ndjekë politikë luftënxitëse në rajon;

– të lidhë marrëveshje ushtarake me një Serbi e cila nuk është veçse metaforë e së keqes, e ligësisë, e destabilizimit dhe e destruksionit.

– t’i shesë armatime një Serbie e cila ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kroacisë, ndërsa kisha serbe s’e njeh dot atë sllavo-maqedonase.

Shtetarët dhe politikanët e perëndimit duhet ta dinë se A. Vuçiqi dhe ish-kryetari i Serbisë Tomisllav Nikoliqi në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, nëpër muret e ndërtesave të Beogradit i ngjitnin fotografitë e kriminelit të luftës, radikalit paranojak Voisllav Sheshelit, ndërsa Ivica Daçiqi në atë kohë ishte bashkëpunëtor i ngushtë i piromanit të gadishullit, S. Millosheviqit. Pikërisht këta duhet të shkojnë në Hagë dhe të përgjigjen për krime kundër njerëzimit dhe jo Ramush Haradinaj, ky hero liberator apo ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi. Udhëheqja e përtashme e Serbisë, në krye me Vuçiqin dhe Daçiqin duhet të përfshihen në listën e zezë të ShBA-së, siç është i përfshirë kryekrimineli i Republikës fantomike Serbe, Millorad Dodiku.

*   *   *

Procesi kafkian ndaj R. Haradinajt dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së paraqet shantazh për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Akuzat ndaj tyre bazohen mbi insinuata. Që nga dita e çlirimit të Kosovës prej kolonialistëve serbë e deri më sot, Beogradi ka vepruar me tërë arsenalin e vet propagandistik për ta diskredituar luftën e drejtë të UÇK-së. Duke e diskredituar UÇK-në, propaganda gebelsiane serbe synon të lëkundë themelet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ka kohë që Beogradi ndjek luftë speciale dhe luftë psikologjikendaj Kosovës.

Taksa mbi mallrat serbe që e mbantenë fuqi qeveria Haradinajka qenë dhe është masë e arsyeshme. Për mallrat serbe Kosova paguante gjysmë miliardi euro, ndërsa Beogradi me ato para blinte nga Rusia armë, me të cilat ditë për dite i kanosej Kosovës. Një tregti të tillë nuk do ta pranonte asnjë vend i botës. Taksat mbi mallrat serbe janë pasojë e politikës destruktive dhe luftënxitëse të Beogradit ndaj Kosovës.

Askush nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje përtej planit të Ahtisarit. Beogradi e di mirë se koha e shqiptarëve të ndershëm të llojit të sejdo-bajramoviqit ka përfunduar përgjithmonë. Kosova dhe i tërë kombi shqiptar sot, janë rreshtuar në anën e drejtë të historisë. 

Kosova dhe i tërë kombi shqiptar pret që kalvari i Kryeministrit në dorëheqje të Republikës së Kosovës – Ramush Haradinajt dhe i gjithë udhëheqësve të tjerë të luftës çlirimtare të marrë fund sa më parë.