Produktet vdekjeprurëse për fëmijët në Maqedoni

0

“Gjithçka 1 euro” janë slogane që tërheqin konsumatorin shqiptar dhe ajo që më bëri përshtypje ditëve të fundit ishte koleksioni i një vogëlushi të mikut tim me lodra “alla kineze”, njofton agjencia e lajmeve INA.
Fëmijët në Maqedoni janë të vërshuar nga ky mall i rrezikut të lartë, por deri tani nuk po bëhen përpjekje sado pak për të shtruar debate se çfarë duhet bërë për t`u evituar rreziku i pushtimit nga lodrat me “viruse”.
Deri tani nuk u bë ndonjë përpjekje simbolike për të ngritur debatin mbi këtë çështje, sado pak për t`i sqaruar qytetarëve se cilat janë rreziqet që kanosen nga këto produkte kineze, duke përfshirë lodrat, gotat plastike dhe të materialeve tjera, por edhe shumë produkte që në vendet e BE-së i kanë dyert e mbyllura.
Bashkimi Evropian ka përcaktuar direktivat dhe rregulloret për të bllokuar këto prodhime që kanë shkallë të lartë të rrezikshmërisë, për shkak të përmbajtjes së kimikaleve të dëmshme, metaleve fatale, benzenë, toulen, fenol, etj. BE ka paralajmëruar rrezikun duke bërë të ditur se këto produkte shkaktojnë alergji, probleme në frymëmarrje dhe çrregullime hormonale tek fëmijët.
Fushata alarmuese dhe senzibilizuese patjetër duhet të ndiqet edhe nga autoritetet dhe institucionet shtetërore dhe ato profesionale, pasi që qindra fëmijëve në Kosovë për çdo ditë u rrezikohet jeta e tyre. Pasojat do të jenë të rënda në të ardhmen. Fushata të tilla kanë rezultuar me sukses në disa vende të BE-së, por edhe ato me statusin e kandidatit, si në Kroaci, ku në shumë raste u realizuan operacione masive për të shmangur nga tregjet produktet e tilla me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.
Masat institucionale kundër këtij virusi janë të domosdoshme dhe jo të drejtuara me synimin për të goditur bizneset e vogla, por për të rritur shkallën e respektimit të standardeve dhe evitimin e shkallën e lartë të rrezikshmërisë, nga produktet e tilla dëmtuese.
Shenja mbrojtëse e mallrave CE
90 për qind e qytetarëve të rajonit nuk janë të vetëdijshëm apo nuk ka dëgjuar për shenjën mbrojtëse të mallrave CE. Shenjë që vendoset në mallrat të cilat janë të prodhuara konform standardeve të Bashkimit Evropian. Pra, të gjitha mallrat që kanë këtë shenjë mbrojtëse mund të qarkullojnë pa ndonjë problem në vendet anëtare të BE-së dhe më gjerë, pasi konsiderohen se janë realizuar në pajtim ose në përputhje me dispozitat e të gjitha direktivave dhe rregulloreve të cilat mbulojnë këtë fushë. Përparësia e shenjës CE është në atë se ajo paraqet një lloj “pasaporte tregtare të mallrave” për tregun e BE-së, me çka këtyre mallrave u është mundësuar lëvizja e lirë nëpërmes këtij tregu.
Produkte të cilat mbajnë siglën CE kemi edhe në Maqedoni, por fatkeqësisht në të shumtën e rasteve kjo shenjë është vendosur sa për të mashtruar konsumatorin. Për dallim nga Kosova dhe vendet tjera të rajonit, Bashkimi Evropian në një masë të madhe i kushton rëndësi mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve por edhe ambientit jetësor. Për këtë ka vendosur standarde të larta. Standardet e përbashkëta të interesit publik janë mbrojtja e shëndetit të njerëzve, mbrojtja e mjedisit jetësor, mbrojtja e kafshëve dhe bimëve. Qëllimi i këtyre standardeve është që mallrat të cilat qarkullojnë nëpërmes tregut të brendshëm të jenë të sigurt dhe të mos e rrezikojnë shëndetin e njerëzve .(INA)