Profesori nga Kumanova flet për rolin e diasporës shqiptare

0

Diaspora shqiptare

Çfarë shkruan Prof. dr. Veton Latifi në librin e tij “Shekulli i ri i politikës shqiptare” për rolin e diasporës shqiptare?

“Në kuptim të ndikimit emancipues politik, zhvillimit të mendimit politik, si dhe avancimit të kulturës politike, shqiptarët e kanë një avantazh të jashtëzakonshëm, diasporën shqiptare si një forcë shtytëse. Është unik sikur te shumë pak kombe të tjera të botës roli koordinues i diasporës shqiptare edhe gjatë shekullit të parë të politikës shqiptare edhe më pastaj lidhur me pozicionimin e politikave shqiptare në raport me faktorin ndërkombëtar.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, f. 72)

“Diaspora shqiptare ka dhënë vazhdimisht një kontribut unik në profilizimin e një kulture politike të shqiptarëve të përafërt me demokracitë e vendeve perëndimore. Lëvizjet e mërgimtarëve shqiptarë, përpos që kanë qenë pika lidhëse me prirjet politike e demokratike të civilizimeve perëndimore, duke i reflektuar pastaj ato në format e organizimit politik shqiptar në Ballkan, ato po ashtu kanë ruajtur lidhjen referuese të kulturës politike shqiptare dhe përditësimin e saj me atë të kombeve perëndimore me një orientim të kulturave demokratike.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, f. 72)

“Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë të botës me një diasporë aq të gjerë dhe të shpërndarë, për shkak të rrethanave politike e ekonomike gjatë shekullit XX. Nostalgjia për tokën e ëndrrave, si dhe detyrimi kombëtar i ka shtyrë ata përpara, që gjithnjë të aktivizohen për atdheun gjatë një shekulli të tërë e, pastaj edhe në shtetndërtimet e tjera të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Po aq kanë ndikuar rrethanat ndërkombëtare, ndonëse ata kanë qenë të integruar në shtetet perëndimore. Aktivizimi nga brenda në politikat e mjediseve shqiptare asnjëherë nuk ka arritur ndonjë progres, apo nuk ka zgjidhur ndonjë çështje madhore, apo të bëjë fuqizimin rajonal a strategjik të shqiptarëve derisa nuk ka qenë i fuqizuar nga pesha e aktivizimit të shqiptarëve nga jashtë. Sensibilizimi i çështjeve dhe proceseve nga ana e diasporës shqiptare nëpërmjet formave të sensibilizimit dhe lobimit, e ka bërë të vetën dhe tani ky faktor, si në rastin e rrallë kombeve të botës, lirisht mund të konsiderohet si një element unik përbërës i kulturës politike shqiptare.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, f. 73)

“Kështu që kontributi dhe ndikimi i mërgimtarëve shqiptarë në raport me rrjedhat shoqërore të shqiptarëve në Ballkan, përpos që është i rëndësishëm në kuptim të zhvillimit të mëtejshëm të ekonomive të shqiptarëve në rajon, ky kontribut dhe ndikim, sidomos, është i një vlere të veçantë në modernizimin e politikave dhe institucioneve të ardhme të shqiptarëve.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, f. 74)

“Duke qenë se diaspora shqiptare gjatë shekullit të parë të politikës shqiptare në Ballkan ka qenë faktor mjaft i rëndësishëm në aspektin kulturor, ekonomik dhe politik, në shekullin e ri të politikës shqiptare diaspora pritet po ashtu të jetë një promotore e ndryshimeve edhe në aspektin shoqëror, kulturor dhe politik nëpërmjet vazhdimit të lidhjeve që ajo mban e i kultivon mes shqiptarëve dhe vendeve e kulturave të tjera, si dhe rrjedhave të tyre demokratike që në mënyrën e vet unike ka ditur e di t’i reflektojë edhe në kuadër të procesit politik si edhe vlerave e përmasave të kulturës politike shqiptare në kontekstin e rrjedhave të politikave inovative.” (Prof. dr. Veton Latifi, “Shekulli i ri i politikës shqiptare”, f. 74)