Projekt për “herbarium” në Lazarat – Tenderi 6.3 milionë lekë për dy parcela

Bashkia e Gjirokastrës ka shpallur një tender me vlerë rreth 6.3 milionë lekë për ngritjen e dy parcelave që do të shërbejnë si ‘herbarium’ në funksion të trajnimeve dhe rehabilitimit të zonës përreth. Dy parcelat do të ngrihen në Lazarat, një zonë që vite më parë kishte problematikën e kultivimit të kanabisit. Aktualisht, kjo zonë, ashtu si shumë zona të tjera ka të zhvilluar mbledhjen e bimëve medicinale si sherebele.

Synimi në këtë rast është kultivimi i bimëve medicinale. Referuar dokumenteve të tenderit, objektivi i përgjithshëm i këtij investimi është të mbështesë ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për zbatimin e programeve shumëvjeçare që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale.

Objektivi i këtij projekti është mbështetja e investimeve në zonat rurale në sektorin e bimëve medicinale, diversifikimin e ekonomisë rurale dhe përmirësimin e mundësive të punësimit.

Synimi në këtë rast është që të përfitojnë fermerët e zonës së Bashkisë Gjirokastër-Dropull.

Rezultatet e synuara të këtij projekti janë rritja e kapacitetit të prodhimit të bimëve medicinale, e përpunimit të tyre, ulja e kostove të prodhimit, rritja e punësimit por edhe rritja e numrit të turistëve e vizitorëve në zonën e Gjirokastrës.

Projekti parashikon blerjen e bimëve medicinale dhe kultivimin e tyre, një praktikë kjo e ndjekur më herët edhe në veri të vendit.

SCAN