Projektet miliona euro, rrugët askund

Ndërtimi i projekteve strategjike infrastrukturore shoqërohet me ngecje, realizim të ngadalshëm, shpenzime më të larta se sa planifikimi fillestar si dhe shpenzime të tjera të paplanifikuara, shkruan Alsat.

Enti Shtetëror i Revizionit ka bërë këto konstatime kur ka analizuar 11 investime publike të financuara me mjete hua, për të parë nëse ata realizohen në mënyrë efikase dhe ekonomike.

Janë marrë kredi, janë shpenzuar 58 milion euro vetëm për kamata, provizione dhe dënime për mostërheqjen e parave, kurse rrugët nuk janë ndërtuar.

Listën e dështimit e kryeson autostrada Kërçovë-Ohër. Për këtë autostradë në total janë huazuar 684.7 milion dollarë. Deri tani janë tërhequr 382.6 milion dollarë kurse shpenzimet për marrëveshjen e huamarrjes janë 38.6 milion dollarë.

Për programin e Qeverisë për rrugë kombëtare ku përfshihen disa rrugë në nivel shtetëror janë huazuar 180 milion euro. Prej tyre janë tërhequr 90.7 milion kurse shpenzimet e huamarrjes janë 7 milion.

Pjesa më e madhe e projekteve që ka analizuar Revizioni janë të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Është konstatuar se ky institucion nuk ka mjaftueshëm mjete për realizimin e tyre.

“Me analizimin e të ardhurave të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore vërtetuam se të ardhurat janë më të ulëta nga vlera totale e investimeve në nivel shtetëror, përveç për vitin 2020 dhe 2021, gjë që shkakton pasiguri në realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”, thonë nga Revizioni.

Ky institucion ka problem edhe me dokumentacionin e projekteve, vlerëson Revizioni.

“Shumica e projekteve të cilat i realizon Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore janë filluar në periudhën 2014-2016. Ata kanë dinamikë të ngadalshme realizimi që është pasojë e mangësive teknike në dokumentacionin e projekteve, shkëputje të marrëveshjeve me realizuesit për arsye të ndryshme, fillimin procedure për arbitrazh ndërkombëtar, pengesa administrative në shpronësimin e tokës, si dhe procedura komplekse ligjore për kompensimin e shpronësimit”, shprehen nga Revizioni.

Kanë ngecur edhe projekte të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat të cilët janë filluar në vitin 2012-2014. Në vitet 2018-2019 këto projekte janë realizuar vetëm në masën 1% në bazë mujore. Në periudhën e revizionit kanë qenë duke u kryer vlerësime për zgjedhjen e realizuesve të rinj për Korridoret 8 dhe 10.

Për shkak të të gjitha pengesave të lartpërmendura, ekziston edhe pasiguri për përfundimin e ndërtimit të Qendrës rajonale klinike në Shtip. / Alsat.mk