PROKLAMATA ILINDITASE

0

Nga Muhamed HALILI/

U bënë gati tri decenie që u mësuam të jetojmë në kohën dhe vendin e paradokseve. Gati tre muaj opinioni botëror shëndetsor, gazetarët, politikanët, Bill Gejts, Tramp, OBSH, EU, NATO dhe qytetarët e thjeshtë të bardhë, të verdhë e zezakë merren me temën e virusit kinez COVID-19 kurse ne në Republikën e Maqedonisë jemi tepër të fokusuar në atë çka tha shoku Ali në plenumin e përvjetorit të 18 të partisë së tij.
Duhet të ketë qenë një mendim shumë i mençur i shokut Ali që politikanët, televizionet, gazetat dhe portalet (në veçanti ato maqedonase) aq shumë u morën dhe ende merren me këtë temë. Ma merr mendja se ky është një truk i dikujt që të shpërqëndrohet vëmendja e njerëzve nga virusi kinez në fushën politike, një virus i cili neve si dhe të gjithë botën na vuri në pozitë shumë të rëndë dhe vuajtje me viktima të mëdha njerëzore deri më tani pas gati 120 vitesh të pandemisë së murtajës që e godini Spanjën dhe Evropën e botën.
Dhe, poqese me kujdes analizohet ajo se çka shoku Ali tha në Plenum, çfarë proklamate i bëri popullit punonjës shqiptar udhëhequr nga diktatura e proletariatit, mund lirisht të përfundojsh se ai nuk tha asgjë! Bëri hajgare me të gjithë ata që nga padituria ose me qëllim vrapuan pas broçkës së tij.
Në fakt shumë gjëra deri më tash në jetën tonë politike më rrënjësisht dhe më me mençuri dhe intelektualitet janë thënë se ajo që e tha ai këto ditë, por koha ishte pengesa dhe rrethanat nuk ishin në përputhje me platformat: ato ishin të parakohëshme. Ta zëmë, arsimimi i lartë në gjuhën shqipe, nismë e PPD-së, legalizuar vetë nga Cërvenkovski, siç ia kumtoi popullit ai atëherë, sepse partia shqiptare në koalicionin qeverisës as që ia kishte kërkuar. Por këtë, portparoli personal i shokut Ali ia përshkruan partisë së tij-BDI. Ajo ishte nismë politike e PPD-së në vitet e 90-ta por rrënjët i ka te “Evetari” i Veqilharxhit, të Normalja e Elbasanit, ajo e Bukureshtit, e Shkupit, e Tetovës; te mundi i mësuesve shqiptarë në Maqedoni t’i bindin prindët që t’i dërgojnë njëherë mashkujt e pastaj femrat në shkollë, sepse shkollimi nuk i nxjerrë nga feja njerëzit ashtu siç propagonin do klerikë të pashkolluar.
Pastaj erdhën diferencimet ideo-politike. Hysniu (Shaqiri) e shumë të tjerë u përjashtuan nga puna sepse nuk deshi nxënësve të tij në klasë shqiptare t’ju flasë maqedonisht. U mbyllën shkollat shqipe në tërë vendin përveç gjimnazit të Tetovës. Leninist-enveristët ikën nga vendi dhe shkuan të jetojnë në perëndim në Lozano dhe Parisin e bukur sepse , thonin ata, Titoja i kishte ndjekur në kohën kur në tubimet e tyre në zemrën e Evropës demokratike bërtitnin “Rroftë shoku Enver”, “Rroftë marksizëm-leninizmi”. Atje ata themeluan “Lëvizjen me adresë e pa adresë”, na i bojkotonin tubimet gjithëpopullare organizuar nga LDK-ja dhe PPD-ja dhe na thonin tradhëtarë. Pastaj më vonë u khtyen prapë si çlirimtarë!
Ata sot thonë se edhe universitetin e Shtulit e paskan themeluar vet, që ishte një kryevepër e koalicionit Georgievski-Arbën Xhaferi, pastaj e kanë zyrtarizuar gjuhën shqipe, kanë inicuar dekomkracinë konsensuale duke mohuar se farët e të gjitha këtyre nismave i kanë gjetur në “Deklaratën për barazi të shqiptarëve në Maqedoni” të Grupit parlamentar PPD-PDP” më 1991.
Ajo që PPD nuk arriti ta bëjë pjesë të platformës së saj politike ishte zgjedhja e presidentit konsensual Gjorge Ivanov dhe për këtë pendohemi fare sepse koha e vërtetoi se kemi pasur të drejtë.
Ata sot thonë se edhe flamurin kuqe-zi e paskan shpikur por pak më të vogël se ai shtetëror i Maqedonisë dhe kanë harruar se ai moti valëvonte në këto troje bazuar në ligj ose paligj në vullnetin e popullit në festat e nëntorit. Kanë harruar se nga 15 vite janë dergjur nëpër burgje për flamur kuqezi më të madh se ai i kushtetutës shqiptare shumë atdhedashës por mbi të gjitha Mehmet Gega dhe Rafi Halili legjendarë.
Pyetjes athua shqiptari duhet të jetë president shteti, kryetar i Kuvendit ose kryeministër i jemi përgjigjur në mbledhjen e parë konstitutive të Kuvendit të Republikës së Maedonisë më 8 janar 1991, dhe kush nuk e mohon faktin se dikush mund ta kishte përmendur në ndonjë kongres partie. Ka shënime stenografike për këtë. Mesazhi ynë i atëhershëm për shqiptarin në njerën nga tre funksionet kryesore në shtet nuk pati karakter populist, por ishte rezultat i numrave zgjedhorë: VMRO-DPMNE 39 deputetë, koalicioni LKM-PPD –Partia liberale 31 dhe koalicioni PPD-PDP 23 deputetë.
Koalicioni PPD-PDP atëherë fitoi 230 mijë vota dhe 100% ishte përfaqsues i vullnetit të shqiptarëve në Maqedoni.
Duke propozuar hapjen e një debati të sinqertë publik enkas në gazetën “Koha” miku im ambasador Buxhaku, shtron dilemën pse PPD si ideatore e presidentit, kryeparlamentarit apo kryeministrit shqiptar nuk arriti për 7 vite qeverisjeje ta emrojë dikë diçka? Kjo është sikur shpikësit të telefonit Aleksander Bell ti thuajsht përse nuk e zbuloi smart telefonin. Kundërpyetja është: pse BDI nuk e ka bërë këtë sot e kësaj dite për 18 vite qeverisje? Ose pse Kosova nuk u bë shtet i pavarur më 1990 në kohën kur Rugova kërkonte protektorat ndërkombëtar mbi te, por në vitin 2008?
Emrimi i kryeparlamentarit shqiptar këtë mandat ishte rastësi e jo platformë. Emrimi i tij e hapi rrugën që humbësi i zgjedhjeve të bëhet fitues dhe një lugë sherbeti BDI-së të mos koalicionojë me partnerin e tij strategjik VMRO-DPMNE dhe asgjë tjetër. Natyrisht se shqiptarët “përfituan” nga posti i kryeparlamentarit: disa shqiptarë bdi-sta u sistemuan në vende të shtrenjta pune në elektroekonomi, baxhanaku erdhi në antikorupsion, djali në Akademi për gjykatës dhe, siç shkruan Xhevdet Hajredini disa herë, ish kryeparlamentari Veljanovski shpëtoi nga marrja e mandatit dhe ndjekja penale. Kjo është e arritur më e madhe në historinë e pluralizmit shqiptar në Maqedoni!!!
Sa për përkujtim: PPD-ja në vitin 2000 e pati kandidatin e vetë shqiptar për kryeparlamentar, por edhe atëherë, sikur edhe tash, opozita shqiptare kundërshtoi dhe ai nuk u zgjodh kryeparlamentar për mungesë të 9 votave shqiptare!!! Pra, faji nuk ishte se maqedonasit nuk e votojnë shqiptarin por se shqiptari nuk e voton shqiptarin.
Elementary dear Watson!
Kam konsideratë të posaçme për ambasadorin e respektuar Buxhaku (në dalli m prej atij unë ia përmendi emrin) i cili nga fuqia e partisë së tij politike BDI (që në këto vite të jubileut të 18-të nga frika mos ngel në opozitë dhe jep llogari për dështimet në qeverisje koalicionoi me vite herë me njerin e herë me tjetrin lider politik maqedonas pa kushtëzuar askend për asgjë) refuzoi të shkojë ambasador i Maqedonisë pasi iu deshtë ta lëshojë shtetësinë belge. Forca e çon ujin përpjetë, thonë pleqët. Ndrohet ligji dhe puna soset. E pse ai kësaj rradhe nuk e lëshoi shtetësinë belge e ta përfaqësojë Maqedoninë e varfër në diplomaci?
Nuk kam asnjëfarë dyshimi se ai këtë edhe e meriton. Por, as edhe xhelozi e ambicje sepse koha na ka mësuar se partitë politike shqiptare kur duan të fitojnë vota thirren ne gjithëshqiptarizëm pastaj punësimet, gradimet, emrimet në posta të larta i bëjnë duke dëshmuar librezën partiake ose duke përdorur rryshfetin. Kjo vlen posaçërisht për BDI-në e cila doli nga lufta që e bënë gjithë shqiptarët pa dallime të ngjyrosjes politike por lezetin e punësimeve dhe tenderave e zonave ekonomike si ajo e Tetovës me partneritet publiko-privat ia panë vetëm një grusht i vogël partiakësh. Kanë mbrojtje nga punët e liga sepse kanë gjyqësorin e partizuar deri në gushë.
Në demokraci, shkruan ambasadori,” qytetarët zgjedhin përfaqësuesit e tyre në parlament, të cilët kanë garuar, zakonisht në lista partiake. Partia politike që fiton numrin më të madh të votave, merr mandatin për qeverisje, zakonisht në koalicion me parti të tjera”.
Në zgjedhjet e 12 prillit pati tre grupacione politike që u formuan si koalicione. BDI deklaroi se do të garojë vetë në zgjedhje dhe duke ditur se statistika është shkencë ekzakte dhe se BDI me numrin e tyre të pakët të deputetëve nuk mund ta fitojë pozitën e mandatarit për të bërë qeveri, shoku Ali është dashur të koalicionoj me njerin nga liderët maqedonas me kusht që poqese fitojnë partitë e koalicionit fitimtar të emrojnë një kryeministër shqiptar bdist. Pyetja është pse ai një pune teknike i dha dimension gjithëkombëtar?
Teza ime kryesore bazohet në konkludimin tim se duke e analizuar porosinë e elektoratit në zgjedhjet e vitit 2016 mund të ndodhë që votat e BDI-së të jenë edhe më pak në numër dhe të rrezikohet ndeja e mëtejme në qeveri. Prandej porosia i drejtohet Zaevit: Anipse në listën e koalicionit “Mundemi” ke tre-katër kandidatë për deputet fitues anëtarë të “Besës” duhet të llogarisish edhe në BDI-në në koalicion paszgjedhor.
Teza tjetër është: me zhurmën kryeministër shqiptar, pse jo? -mendoj se Aliu do t’i frikësoj dhe motivojë maqedonasit që ishin dhe mbeten kundër Marrëveshtjes së Prespës dhe me Bullgarinë të dalin dhe votojnë masovikisht për VMRO-DPMNE në mënyrë që Mickovski të bëhet mandatar dhe të hapet rruga e BDI-së për koalicionim paszgjedhor.
Çka i tha Dema Kadrisë?
Statistikisht, thotë ambasadori, në zgjedhjet presidenciale qytetarët votojnë të vetin, do të thotë në baza etnike. Sipas kësaj vetëm ne shqiptarët e votojmë të huajin. Poqese bëhen analiza të thella statistikore del se partitë politike shqiptare i “kanë kanalizuar” votat shqiptare drejt kandidatëve maqedonas me arsyetim se kandidati shqiptarë nuk ka gjasa të fitojë dhe votat shqiptare duhet t’i takojnë partisë për gjoja kushtëzimin e maqedonase për , ta zëmë, legalizimin e UT, për gjuhën shqipe për kryeministrin shqiptar. Por kështu nuk ndodhi edhe me Imer Selmanin. Kandidati më i votuar shqiptar për president (145 mijë vota) një shumicë të madhe votash i kishte nga maqedonasit, turqit, romët, boshnjakët, etj. dhe sikur shqiptarët të ishin unanim në votim ai do të ishte në rrethin e dytë të zgjedhjeve, dhe ndoshta njëfar Obame.
Po e njejta ndodhi në zgjedhjet e fundit presidenciale kur BDI me ngulm kundërshtoi kandidatin shqiptar Blerim Reka me motivacion se maqedonasit nuk votojnë shqiptar (që me Selmanin doli e pasakt) dhe bëri një fushatë parazgjedhore për një kandidat konsensual maqedonas. Presidenti konsensual dhe kryeministri i parë shqiptarë për të cilën edhe ai e di se nuk bëhet është një hajgare e tepruar me elektoratin shqiptar.
Këtë miku im ambasador e arsyeton me ate se “Ali Ahmeti theksoi, para zgjedhjeve te fundit presidenciale “sot përkrahim kandidat maqedonas, duke hapur rrugën që, në të ardhmen, partia (apo partitë maqedonase) të përkrahin një kandidat shqiptar!”
Pra, Aliu adresën e ka të qartë: duhet të negocojë me liderët e partive politike maqedonase me të cilët përditë pi kafe bashkë që ata t’ia kthejnë borxhin.
Diçka për moblizimin gjithëkombëtar. Është absurde një parti politike të ftojë elektoratin shqiptar për kandidat për kryeministër dhe emrin i tij nuk dihej që nga fillimi dhe ai nuk kryesote asnjë njësi zgjedhore! Nuk dihej asgjë as për moralitetin e tij, aftësitë organizative, shkollimin, aftësitë menaxhuese, i cilës parti do të ishte, a është i pranueshëm për nënat tona tetovare pas gjithë atyre rafal sharjeve etj, etj.
Shqiptarët me shumë parti politike
Shoku Ali ndoshta me (pa) të drejtë shpesh ankohet nëpër televizione për numrin e madh të liderëve politikë shqiptarë, për numrin e madh të partive politike krahasuar me skenën politike të maqedonasve ku dominojnë dy parti politike.
Nuk është për të besuar se ai nuk mund ta bëjë një dallim: në skenën politike të maqedonasve ka diku 30 parti politike. Liderët politik maqedonas të LSDM-së dhe VMRO-së e kanë zemërgjërësinë e tyre që në një koalicion të përfshijnë 15 parti politike, intelektualë të pavarur, shoqata joqeveritare sipas proviniencës politike. Në kundërshtim me këtë ende nuk doli lider shqiptarë që arriti të bëjë bashkë dy parti politike, përfshi këtu edhe shokun Ali, i cili e pati për obligim moral të synojë ta bëjë këtë.
Çka e shtyri shokun Ali, (pasiqë “idealet kombëtare” e paskan sjellë këndej pari e jo ndonjë interes tjetër) pas luftës të krijojë pa nevojë partinë e tretë shqiptare BDI kur në skenën politike me sukses funksiononin PPD dhe PDSH?
A e ka harruar ai fjalinë e tij të famshme në debatin e vetëm politik midis dy liderëve shqiptarë brenda 20 viteve (përafërsisht kështu) : po ti xhaxhi më the ta zhdukim PPD-në.
Kryeministri shqiptar: pse jo? – dhe presidenti konsensual megjithate janë sheqerka mashtruese për mobilizim “patriotik të elektoratit shqiptar për rritjen e votave të partisë së tij në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare dhe asgjë tjetër.
Më mbetet të pajtohem me “portparolin” e shokut Ali se megjithate ai është politikani më i zhdërvjellshëm dhe dinak shqiptar në Maqedoni.
Dhe nuk është çudi që një ditë pas zgjedhjeve Aliu me truqet e tia të krijojë klimë dhe mobilizim gjithëpartiak dhe një ditë t’i hypë në vetura politikanët tjerë dhe t’i çojë te Rama , Meta e Basha (pastaj fill pas kësaj në emision te Sokol Balla), në një “drekë gjithëkombëtare” e atje ata ta emrojnë përfaqsues të platformës për kryeministër shqiptar në Maqedoni. Pas kësaj, akuza, britma, sharje e “kërcënime” nga pala maqedonase se ai është “nacionalist “ i përbetuar. Rezultati: edhe një mandat në bashkëqeverisje ku Aliu do ta ketë fjalën vendosëse.