Protesta të tensionuara në Shkup: Demonstruesit tentuan të hyjnë në Qeveri, Kuvendin e sulmuan me vezë dhe shishe

Protestat kundër propozimit francez për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në u kthyen të dhunshme në ditën e tretë, pasi një grup protestuesish depërtoi gardhin mbrojtës para Qeverisë në Shkup dhe u përpoq të hynte në ndërtesë.

Mijëra qytetarë të pakënaqur dolën sërish në protestën para qeverisë nën moton “Ultimatum – Jo faleminderit”. Por në ballë të protestave ishin përfaqësues të partis së “Majtë” të udhëhequr nga Dimitar Apasiev, por edhe persona të maskuar që hodhën vezë, shishe dhe fishekzjarre drejt ndërtesës së qeverisë.

Dhjetëra protestues thyen gardhin mbrojtës dhe më pas shkuan në hyrje të qeverisë, por ata u ndaluan nga njësitet speciale.
Protestuesit më pas janë drejtuar drejt Kuvendit, ku po ashtu thyen gardhin mbrojtës, por u parandaluan nga njësitet speciale.

Protestuesit po brohorisnin parullat “dorëheqje”, “Kurrë veriore, vetëm Maqedoni”, “Jeton ASNOM”, “Fashistët bullgarë” dhe kënduan këngë patriotike.

Protestat po organizohen kundër propozimit francez për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE.(INA)